Kurtit i bëhet thirrje të heq dorë nga retorika e fushatës, “arroganca” ndaj ndërkombëtarëve në dëm të imazhit

Prishtinë | 23 Tet 2021 | 08:07 | Nga Erdonita Hebibi Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Qasja e Qeverisë karshi ndërkombëtarëve po shihet nga ekspertët si e tepruar dhe arrogante.

Madje njohësi i çështjeve politike Milazim Krasniqi në një intervistë për Ekonomia Online, thotë se kjo po i sjell shumë dëme vendit.

Ai pohon se vendimet e mira që Qeveria i ka marrë kanë të bëjnë me luftimin e korrupsionit, mirëpo nuk anashkalon edhe ndërhyrjen në veri dhe anulimin e projektit për gazin duke i quajtur të dëmshme për vendin.

“Unë besoj që disa vendime që ka marrë Qeveria kundër korrupsionit mund të llogariten si vendime të mira dhe të nevojshme, por disa vendime strategjike siç ka qenë ndërhyrja në veri dhe kjo me gazin janë jo vetëm të panevojshme por edhe shumë të dëmshme, siç ka qenë edhe ndërhyrja në veri dhe kjo me gazin që janë jo vetëm të panevojshme por janë shumë të dëmshme. Kjo me gazin është një interes strategjik i Kosovës që të lidhet në këto linja dhe hezitimi i Qeverisë ka lënë shumë dilema se cilat janë motivet e tyre të vërteta”.

“Mbetet që të shihet dhe të shpresohet se qeveria do ta korrigjoj atë qëndrim refuzues, por nëse nuk e korrigjon në fakt atëherë mund të ketë pasoja të mëdha për Kosovën”.

Tutje Krasniqi thotë se Qeveri duhet të heq dorë nga arroganca, dhe nga përjashtimi i partnerëve politik pasi sipas tij, kjo mënyrë është e gabuar.

“Kjo qeveri duhet të ndrroj mënyrën e veprimit, duhet të heq dorë nga arroganca, nga përjashtimi i partnerëve politik, dhe nuk mund ta bëjë me asnjë parti sepse tashmë dihet që i ka fyer të gjitha. Duhet të heq nepotizmin që e ka instaluar për punsime dhe të hap partinë për dialog të brendshëm sepse ideja që vetëm një njeri të marr vendime është e gabuar. Realisht lëvizja Vetëvendosje duhet ta demokratizojë mënyrën e komunikimit me qytetarët dhe ta reformoj partinë me të cilën qeveris”.

Edhe analisti politik Shemsi Jashari po e cilëson si të tepruar dhe arrogante sjelljen e kryeministrit Albin Kurti karshi ndërkombëtarëve.

Ai në një intervistë për Ekonomia Online, tha se raportet e Kosovës me ndërkombëtarët janë paksa të lënduara dhe të ngurta.

“Numri i madh i votave që Kurti ka marrë në mandatin e dytë tashmë dhe themelimi i qeverisë Kurti 2 ka bërë që ai ta shfaq një lloj arrogance, një lloj vetbesimi shpeshëherë të tepruar dhe në këtë rast edhe në raport me ndërkombëtarët e ka shfaqur një lloj qëndrimi lëvdues për veten, duke dashur të tregojë se tashmë gjithëçka ka ndryshuar. Mendoj që janë paksa raporte të lënduara më shumë nga mosdija sesa nga arroganca do të thoja”.

Tutje Jashari thotë se vendi ka një ministre të Punëve të Jashtme që sipas tij, është jashtë çdo niveli të detyrës ku nuk njeh as gjërat elementare.

“Ne kemi një ministre të Punëve të Jashtme që është jashtë çdo niveli të detyrës që do duhej të ishte një ministër i jashtëm dhe ku kemi parë gafat e saj në mosnjohjen e gjërave elementare, pastaj kemi mungesën e ambasadorëve të shumë shteteve dhe kjo paksa e ka lënduar raportin e shtetit të Kosovës në raport me ndërkombëtarët”.

Ai përmend poashtu edhe investimet në projektin e gazit që ka shkaktuar polemika të mëdha, duke theksuar që në këto projekte të mëdha sidomos kur dihet se ShBA-të qëndrojnë prapa, Kosova duhet të jetë më e kujdesshme, raporton EO.

“Edhe raporti i fundit që është bërë me investimet në  projektin e gazit ka shkaktuar bukur shumë polemika dhe të brendshme dhe të jashtme dhe ajo që unë di është se në projekte të mëdha kur ShBA-të qëndrojnë prapa, qeveria duhet të jetë shumë e kujdesshme sepse nuk po flasim vetëm për një projekt, por për një gamë projektesh. Ndërrimi i mendimeve disa herë jep qëndrime jo-stabile pastaj”.

“Ajo çfarë ne kemi parë gjatë kësaj kohe nuk vërehet ndonjë ndryshim pozitiv, ndoshta edhe për shkak të krizës pandemike, kemi një rritje bukur të lartë të çmimeve të shportës së konsumatorit dhe ndoshta mirëqenia e konsumtaorit do duhej të vërehej nga vet qytetari i shtresës së mesme dhe asaj të ulët”.

Jashari fton Qeverinë Kurti që të kthehet nga retorika e fushatës dhe të punojë për atë çka edhe është votuar.

Të ngjashme