Kusari-Lila e Selmanaj flasin pasi dorëzuan postet në Gjakovë e Deçan

Prishtinë | 08 Gus 2017 | 17:02 | Nga

Zgjedhjet nacionale të 11 qershorit kanë lënë pa udhëheqës dy komuna të Kosovës. Bëhet fjalë për Komunën e Gjakovës dhe atë të Deçanit.

Mimoza Kusari-Lila dhe Rasim Selmanaj kanë vendosur që të lënë udhëheqjen me komunat përkatëse për t’u bërë deputet të Kuvendit të Kosovës, shkruan Indeksonline.

Seanca e së enjtes së kaluar, kur 120 deputetët e legjislaturës së gjashtë të Kuvendit të Kosovës u betuan solemnisht, la zyrtarisht këto dy komuna në duart e nënkryetarëve.

Kusari-Lila ka thënë për Indeksonline se ka një javë që ajo është tërhequr plotësisht nga obligimet e kryetares së Komunës së Gjakovës.

“Ka javë që nuk jam në Gjakovë në zyre të kryetares. Obligimet dhe përgjegjësitë sipas ligjit i kanë rënë nënkryetarit, Armend Vokshi”, ka thënë ajo.

Ish-kryetarja në zgjedhjet e qershorit mori 20 mijë e 557 vota, që i siguruan ulësen e deputetes në Kuvend.

Pos saj, dorëheqjen nga komuna e ka konfirmuar edhe Rasim Selmanaj. Ai për Indeksonline ka theksuar se tani është vetëm deputet e jo më kryetar.

“Ka një javë që nuk dal në zyre dhe nuk e ushtroj atë detyrë. Nënkryetari vazhdon të merret me komunë, Sami Cacaj”, ka thënë shkurt Selmanaj.

Komisioni Qendror Zgjedhor certifikoi rezultatet e zgjedhjeve të 11 qershorit më 7 korrik, ndërsa në to Rasim Selmanaj mori 9844 vota, duke u renditur i 31 në listën e PAN-it për deputetë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme