Kusari-Lila e vlerëson të rëndë situatën politike: Na duhet Qeveri kredibile

Prishtinë | 15 Nën 2020 | 09:17 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Ngritja e aktakuzave dhe fillimi i gjykimeve nga Gjykata Speciale ndaj ish-krerëve më të lartë të UÇK-së, e ka rënduar situatën politike në vend ka thënë deputetja e Kuvendit të Kosovës, Mimoza Kusari- Lila, në një intervistë për Ekonomia Online.

Madje, ajo thotë se duhet reflektim serioz sa i përket aspektit të drejtësisë.

“Situata aktuale është e rënduar. Përkundër dallimeve politike nuk mund të merret me lehtësi ngritja e aktakuzës dhe marrja e ish-presidentit të shtetit Hashim Thaçi dhe shefit të grupit parlamentar të VV-së Rexhep Selimi dhe ish-kryetarit të PDK-së Kadri Veseli dhe për këtë duhet një reflektim serioz, një qasje e cila do të tregojë nëse ka pasur gabime në aspektin e drejtësisë brenda vendit që të mos na ndodh në të ardhmen një gjë e tillë”.

Ajo theksoi se gjendja është përkeqësuar edhe sa i përket menaxhimit të pandemisë.

“Ndërsa gjendemi në një situatë tepër të rëndë në raport edhe me krizën e shëndetit publik, por edhe me efektet që do t’i lërë qoftë në fushën e ekonomisë dhe punësimit, por gjithashtu edhe në fushën e shëndetit mendor për shkak se po ndihen që efektet vetëm kanë filluar të shfaqen dhe nuk do të largohen pa marrë masa”.

“Tash kanë ardhur në një situatë kur janë bllokuar tërësisht ku nuk e kanë as konsensusin politik, as nuk do të kenë efektin e duhur në ekonomi dhe nuk kanë zgjidhje për dalje nga situata aktuale politike”.

Sipas saj, është fatkeqësi që ky koalicion përçarjet i ka për poste dhe pozita, por nuk i ka për çështje parimore.

Kusari-Lila shtoi se është e domosdoshme të kthehet legjitimiteti i Qeverisë dhe ajo mund të bëhet vetëm me zgjedhje të reja.

Sipas deputetes Kusari-Lila, zgjidhja e vetme është që qytetarët tu drejtohen kutive të votimit për një Qeveri kredibile dhe me mandate të plotë.

“Deri më tash nuk ka pasur as të vetmin hezitim dhe jo sepse nuk shihet asnjë zgjidhje nga një pazar tjetër politik”.

“Zgjidhja e vetme është tu drejtohemi kutive të votimit me kujdes për përgjegjësinë që e kemi për funksionimin e mirëfilltë të demokracisë dhe sjelljen e vendit në një situatë në të cilën është Qeveria kredibile dhe me mandate të plotë për të qeverisur”.

Të ngjashme