Kusari-Lila flet për takimin me Pacollin: Thotë se po bëjnë plane rreth situatës në Kosovë

Prishtinë | 05 Sht 2018 | 12:41 | Nga

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila ka mohuar se do të bëhet pjesë e ekipit negociator të Qeverisë për dialogun me Serbinë, që udhëhiqet nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. Këto deklarime të Kusari-Lilës vijnë pas një takimi që kishte pasur në mëngjes me Kryetarin e AKR-së, Behgjet Pacollin.

Mëngjesi i pesë shtatorit i bëri bashkë për kafe bashkëpartiakët e dikurshëm, Behgjet Pacollin dhe Mimoza Kusarin-Lilën. Diskutimi i situatës së përgjithshme në vend ka qenë arsyeja e takimit të tyre.

Kusari-Lila i ka thënë Gazetës Express se diskutimi i situatës së përgjithshme në vend ka qenë arsyeja e takimit, por thotë se nuk ka ndonjë rezultat konkret nga ky takim.

“Ka qenë takimi diskutimi i situatës së përgjithshme, nuk ka kurgja konkrete prej atij takimi, dmth nuk ka absolutisht ndonjë rezultat ose përfundim që ia vlen të bëhet publik në këtë moment”, tha Kusari.

Por, Kryetarja e Alternativës ka mohuar se në këtë takim është diskutuar që ajo të jetë pjesë e ekipit negociator në dialogun me Serbinë. Gjersa, e vlerëson si shkelje të rëndë të Kushtetutës thirrjen e seancës së djeshme nga Qeveria.

“Jam shumë e qartë, për atë arsye edhe e kemi demantuar atë që është raportuar si takim me Z. Thaçi, nuk është opsion me qenë pjesë e ekipit negociator, si dhe atë që është duke ndodhë në Parlamentin e Kosovës e konsiderojmë si shkelje të rëndë të kushtetutës , me mënyrën se si janë proceduar bisedimet deri tani nga Z. Thaçi, por edhe me formën se si Qeveria ka ndërhyrë me seancën e djeshme për ta votuar delegacionin, pa e votuar rezolutën e propozuar nga opozita”, deklaroi ajo.

Kujtojmë se dy protagonistët pas ndarjes në AKR kishin thumbime e kritika ndaj njëri tjetrit pasi që ndarja nuk ishte fort miqësore. Ndërsa partia e Kusari-Lilës është tërhequr edhe nga koalicioni parazgjedhor që kishte formuar me partinë e Isa Mustafës, LDK-në.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme