Kusari-Lila: Me menaxhimin aktual të pandemisë, jemi të destinuar të dështojmë

Prishtinë | 29 Kor 2020 | 13:29 | Nga Ekonomia Online

Deputetja nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, thotë se Qeveria e Kosovës erdhi dhe do të shkojë shpejt duke politizuar me pandeminë.

E ka kritikuar Qeverinë për menaxhimin e pandemisë, kësisoj, shton se edhe do të dështojë.

Sipas saj, vendimi i reciprocitetit u hoq aty ku duhej të mbahej në çështjet ekonomike dhe politike, ndërsa, shton Kusari-Lila, u vendos aty ku nuk ka sens, në rrezik dhe dëm të shëndetit publik.

“Qeveria në vazhdimësi po thirret se vendimet i merr në bazë të rekomandimeve të IKSHPK-së. A është vendim i IKSHPK-së vendosja e reciprocitetit në teste, apo është reagim amator i të paditurve në shëndetësi? A është shkencërisht e dokumentuar se në mes shqiptarëve nuk shpërndahet virusi pasi nuk kërkohet testi për shqiptarët pa marrë parasysh shtetësinë e tyre?! Apo e tërë kjo mjegull është vetëm një veprim popullist dhe amatoresk pa asnjë sens logjik e shkencor?!”, shkruan Kusari-Lila në një shkrim në Facebook.

Thotë tutje se “Non sensi me vendimin për testin negativ si kusht për të hyrë në Kosovë është po aq non sens sa edhe non sensi për lirim nga testi në bazë të etnisë”.

“Nëse e mbyll shtetin, e mbyll për të gjithë, apo e mbyll për shtetasit që vijnë nga vatrat e krizës, e fatkeqësisht ne Kosovarët jemi shndërruar në të tillë. Vlerësimet nuk po bëhen me rekomandim të ekspertëve por vendimet po merren në bazë të impulseve të politikës ditore”, shkruan tutje deputetja Kusari-Lila.

Ajo shton se masat duhet aplikuar dhe shteti duhet të marrë vendime të analizuara dhe shkencërisht të verifikuara për aq sa ka informacion deri më tani për virusin.

“Me këtë menaxhim aktual, ku ka çdo gjë pos shkencë dhe vlerësim me bazë shkencore, jemi të destinuar të dështojmë, ashtu sikur po dëshmohet çdo ditë”, përfundon Kusari-Lila.

Të ngjashme