Kusari-Lila: Mogherini s’ka kredibilitet të flasë për Kosovën, taksa s’dëmton miqësinë me ShBA-në

Prishtinë | 23 Shk 2019 | 08:36 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, thotë se shefja e diplomacisë Evropiane, Frederica Mogherini e ka humbë kredibilitetin të flasë për Kosovën.

Sipas saj, shefja e BE-së gjatë mandatit të saj ka shprehë njëanshmëri dhe favore për Serbinë.

“Frederica Mogherini e ka hupë kredibilitetin t’i flasë Kosovës, për çfarëdo që duhet të bëjë Kosova, nëse BE-ja dëshiron të komunikojë me Kosovën, është mirë që ndoshta mesazhin ta përcjellin përmes një zyrtari tjetër, për arsye se ishte po e njëjta përfaqësuese e cila premtoi shumë dhe u bë e njëanshme, mbante vetëm anën e Serbisë, prandaj deklaratat e saja në raport me Kosovën në fund të mandatit të saj, pasi ajo efektivisht i ka edhe dy tre muaj mandat, nuk më duken as brengosëse, por as me ndonjë peshë”.

Shefja e Alternativës në një intervistë për Ekonomia Online, shprehet se taksa nuk i prishë marrëdhëniet miqësore mes ShBA-së dhe Kosovës.

Sipas saj, këtyre raporteve më shumë i japin fund, thëniet se taksa nuk hiqet deri në njohje nga ana e shtetit fqinjë.

“Nuk besoj që taksa i prishë raportet me ShBA-në, mendoj që i prishë qasja e cila tregohet jo operuese. Më tepër i prishin raportet thëniet të cilat nuk hiqet pasi që unë them kështu, ose nuk hiqet deri sa Serbia të na njeh, prej fillimit deri tash kjo çështje nuk është shtruar për së mbari, sepse ta vësh të gjithë shtetin peng vetëm për shkak të fjalës tënde nuk është as mençuri e as nuk tregon as largpamësi, raportet po prishen për mënyrën e komunikimin dhe menaxhimit të shtetit, shteti nuk menaxhohet me inate e në rastin e taksës po shihet se ka inate dhe është vënë taksa në mes”.

Edhe pse sipas Kusari-Lilës Serbia ka merituar ndëshkime nga Kosova si tash edhe para 20 vjetësh, me mbajtjen e taksë Kosova nuk fiton asgjë.

Kusari-Lila tha se taksa po shfaq një garë të kryeparlamentarit Kadri Veseli dhe kryeministrit Ramush Haradinaj se cili është më burrë dhe njeri i fjalës.

“Diskursi i trajtimit të taksës në opinionin publik është negativ pasi që hera e pasë u shtynë se kush është meritor, hera e dytë po shtyhen se kush është më mik me Amerikën, të dyjmat janë gabim, pasi që duhet të shikohet se çfarë fiton Kosova, nëse shohim se a po fiton Kosova ende me mbajt këtë taksë, nuk jam e sigurt se fiton”.

“Serbia meriton gjithmonë ndëshkim e edhe para 20 vjetësh, duhet të iu bëhet e qartë të gjithëve që edhe nëse hiqet taksa, duhet të vendoset një strategji se si reagon Kosova në secilën shkelje të Serbisë dhe atëherë Serbisë t’i tregohet që nëse ata sillen kështu me ne do sillemi njëjtë me ju, mbajtja e mëtutjeshme e taksës më frikëson se mund ta rrisë elasticitetin e Serbisë të reagimit ndaj Kosovës, kompanitë serbe mund të gjejnë tregje të tjera”.

“Në retorikën e kryeministrit dhe kryeparlamentarit nuk po e shoh aq interesin e shtetit, por më tepër shtyrjen e tyre politike ose kush është më burrë me mbajt fjalën ose kush është një mik me Amerikën”.

Qeveria Haradinaj po reflekton shumë patriotike dhe që bazohet vetëm në kanun e jo në procese të rëndësishme të vendit vlerëson, kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila.

Ajo po thotë se numri i madh i të emëruarve politik në këtë Qeveri ka qenë vetëm një çështje pazaresh e jo vendim i marrë për ndryshime pozitive të zhvillimeve në Kosovë.

“Është e vërtetë që prej formimit të kësaj qeverie është vërejtur haptazi se Qeverisë do ti mungon një vizion i qartë dhe një përkushtim i gjithë anëtarëve të kabinetit Qeverisës për një zhvillim të mirëfilltë, arsyeja ishte pafuqia politike e kryeministrit në raport me votat në Kuvend, gjithashtu edhe fakti se dukej nga larg se brenda nuk është vetëm një vendimmarrës, por janë 4 ose thuajse qeverisa qeveriset me 4 ose 5 kryeministra dhe gjithashtu fakti se rritja e të emëruarve politik shkoj në masën e shumë ministrive, u kuptuar që është vetëm një çështje e pazarit politik e jo një vendosmëri për ndryshim pozitiv të zhvillimeve në Kosovë”.

“Në vazhdimësi e kemi përcjellë punën e qeverisë dhe kemi vërejtë që skandalet e qeverisë po mbulohen me retorikë politike patriotike duke u zmadhuar çështjet të cilat kanë të bëjnë në raport me dialogun me Serbinë e duke u mundu të minimizohen problemet e mëdha ekonomike, sociale që po krijohen nga kjo ekonomi “, tha Kusari.

Sipas Kusari-Lilës, Qeveria Haradinaj do mbahet mend si një Qeveri e dështimeve të njëpasnjëshme, madje edhe zhvillimi ekonomik sipas saj, ka qenë një favor i njerëzve të afërm të Haradinajt.

Kusari-Lila u shpreh edhe për çështjen e liberalizimit të vizave, e cila sipas saj nuk është aspak afër të realizohet dhe se tani në këtë drejtim gjendja po shkon duke u përkeqësuar.

“Kryeministri do donte të mbahej mend për taksën dhe vendosmërinë e tij, ndërsa nga aspekti përmbajtjesor unë e shoh se ka mbuluar mirë shumë dështime të tij me këtë taksë, qeveria Haradinaj do mbahet mend si një qeveri e dështimeve të një pas njëshme në raport me shumë procese, liberalizmi i pari, as për së afërmi nuk duket kjo çështje, ende më keq janë përkeqësua raportet me vendet e BE-së”.

“…së dyti zhvillimi ekonomik ka filluar me shumë favor të njerëzve të afërm të tij, me shkelje të ligjit të vazhdueshme, me mungesë të transparencës dhe mbi të gjitha me vendime të cilat janë të dëmshme edhe për shëndetin publik, ajo do mbahet mend për numrin shumë të madh të të gjithë emëruarve politikë dhe ndarjen e buxhetit e në veçanti të rezervës pa asnjë vlerësim të mirëfilltë dhe pandjeshmëri mbi shpenzimin e parasë publike dhe për përkeqësimin e gjuhës dhe opinionit në publik”.

Kusari-Lila tha se vendi ka shumë nevojë të shkojë në zgjedhje pasi që vendit i ka humbur kredibiliteti me qeverinë aktuale.

“Vendi duhet të shkojë në zgjedhje këtë vit, jo për arsye se duhet të ndërrohen pozitat, por duhet të ketë zgjedhje pasi ka humbë shumë kredibiliteti, ka shumë çarje në mes të partnerëve të koalicionit dhe kjo po e dëmton shtetin, por Alternativa është deklaruar edhe më herët se në rast se duhet të shtyhen zgjedhjet për një periudhë 6 mujore atëherë të paktën kjo qeveri me numrin e madh të skandaleve të shpërbëhet, të formohet një qeveri teknike dhe të udhëhiqet vendi me disa pika të caktuara deri në proces zgjedhor, të vazhdohet kështu, është shumë e dëmshme për vendin”.

Kusari-Lila në një intervistë për Ekonomia Online, tregon gatishmërinë e Alternativës për tu bashkërenduar në koalicion me dy partitë opozitare, LDK e Vetëvendosje, e gjithë kjo me qëllim të rrëzimit të Qeverisë.

“Bashkëpunimin Alternativa e sheh dhe e ka pa edhe më herët me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje, PSD i ka çështjet e veta në raport me mbështetje të caktuara të cilat ia jep kabineti qeverisës, gjithashtu ka qenë edhe rasti i dialogut në të cilin ne kemi thënë se pa pasë edhe përfshirje të dy partive opozitare nuk do mund të kemi një marrëveshje stabile apo një votim në Kuvendin e Kosovës”.

“…prandaj po Alternativa është e gatshme të bashkëpunojë dhe të jetë e bashkërenduar me dy partitë opozitare në këtë rast për rrëzimin e qeverisë por gjithashtu edhe me një koalicion të mundshëm qeveritar pas zgjedhjeve të ardhshme”.

Të ngjashme