Kusari-Lila: Nuk munden mbi gabimet e dekadës së fundit t’ia faturojnë një qeverie tjetër

Prishtinë | 28 Mar 2022 | 14:02 | Nga Lindita Berisha Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila, në një konferencë për medie ka treguar se pse deputetët e pozitës nuk e mbështetën formimin e komisionit hetimor të propozuar nga opozita, raporton Ekonomia Online.

Kusari-Lila tha se një nga arsyet është ajo që sipas saj diskutimi kishte filluar me paragjykime nga Opozita dhe se kjo e fundit po abuzon me informacionet të cilat prezantohen.

“U fillua me diskutime e me paragjykime, dhe grupi parlamentar i Lëvizjes Vetëvendosje vendosi që sot të mos e mbështesë formimin e këtij komisioni hetimor parlamentar për një fakt të vazhdueshëm dhe konsistonte që opozita vazhdon ta keqpërdorë, dhe kjo është abuzimi me të vërtetën, abuzimi me informacionet të cilat prezantohen, jepen përgjigje në pyetje të opozitës dhe prapë ato përgjigje të cilat i marrin nga ana e Qeverisë dhe pozitës ata i keqpërdorin. Qeveria e ka bërë të qartë që edhe në fatura të energjisë elektrike do të dihet saktë se cila pjese është pjesë e subvencionimit dhe cila pjesë është ajo që qytetarët e paguajnë drejtpërdrejt nga faturat e energjisë elektrike”.

Ajo ka thënë se opozita nuk mundet që gabimet e dekadës së fundit t’ia faturojnë një Qeverie, e cila sipas saj po e merr përgjegjësitë e një Qeverie të shkuar.

“Synimi dhe tendenca qe të vihet hi e pluhur, synimi dhe tendenca që të thuhen të pavërteta në veprimet e Qeverisë e cila brenda këtij një viti është ballafaquar me dy kriza të mëdha, pa u marr fare me pasojat dhe atë çka e ka shkaktuar ngritjen e çmimeve, konsiderohet si e paplotë dhe oportune. Nuk pranojmë që të abuzohet me të vërtetën dhe nuk pranojmë të abuzohet me faktet që janë shumë më kokëforte sesa çfarëdo insistimi i opozitës për të vënë në faj Qeverinë Kurti. Nuk munden ata që me gabimet që kanë qenë intensive të paktën në dekadën e fundit në përgjithësi të kësaj opozitë tashmë t’i faturohen një qeverie që brenda vitit ka treguar transparencë, përgjegjësi e llogaridhënie dhe vazhdon të tregojë dhe të merr përgjegjësinë për të gjitha gabimet e të shkuarës”.

Të ngjashme