Kusari-Lila për Vjosa Osmanin: Ditë e mbarë për barazinë

Prishtinë | 27 Gus 2019 | 10:44 | Nga Ekonomia Online

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se zgjedhja e Vjosa Osmanit si mandatare të LDK-së për kryeministre ka fituar betejën për barazi.

Ajo në një postim në Facebook ka shkruar se lufta për barazi gjithmonë është lufta për mundësi të barabartë, duke shtuar se ajo është luftë dhe përpjekje për t’u mos mohuar e drejta gruas dhe vajzës për shkak të gjinisë së saj.

Ajo thotë se kjo betejë për barazi dhe mundësi të barabartë u fitua dje në Lidhjen Demokratike të Kosovës me kandidimin e Vjosa Osmanit për kryeministre.

“Dhe ashtu siç e kërkuam gjithmonë, fitorja ishte e përbashkët, e burrave dhe grave. E Vjosës në emër të gjysmës së popullatës që përfaqëson, por edhe e Kryetarit Mustafa dhe Lutfi Hazirit që dolën krah saj. LDK e bëri ashtu si duhet të bëhet, bashkë dhe me një zë”, ka shkruar ajo.

Kusari-Lila ka shtuar se kandidimi i Vjosës ka shumë simbolika, por sipas saj, më e rëndësishmja është ajo e paralajmërimit të një etape të re të Kosovës, asaj të vlerave, barazisë dhe drejtësisë, etapës së shumë pritur nga shumica e qytetarëve të Kosovës.

“Dje dhe mbrëmë u dhanë shumë komente: a bëri Vjosa koncenzus në parti? A do të mund të jetë Kryeministre e fortë dhe e pavarur në vendimmarrje? Vjosës iu cituan edhe fjalët e thëna për Kryetarin e partisë dhe zënkat brenda LDK-së. Krejt këto valide, por jo të domosdoshme për momentin”, shkruan ajo.

Sipas saj, momenti është i Vjosës dhe i vajzave që do të inkurajohen të shpresojnë dhe guxojnë të veprojnë, pasi do ta dinë se një prej tyre ia doli me betejë.
Ajo thotë se shumë kompromise bënë burrat me muskuj në politikë, beteja dhe konflikte shumë më të ashpra patën mes vete, për t’i harruar pastaj të gjithat vetëm për të ardhë te pushteti.

“Jam e bindur se as për së afërmi as nuk i bëri dhe kurrë nuk do t’i bëjë Vjosa këto kompromise në karrierë. Andaj, relaksohuni dhe besoni se me të vërtetë një grua ia doli të marrë besimin e burrave dhe grave në partinë e saj për mundësinë e barabartë të garoj për Kryeministre në bazë të meritave të saj.
Gara do të jetë shumë më me vlerë dhe interesante me Vjosën pjesë e saj”, ka shkruar Kusari-Lila.

Sipas saj, dje ishte ditë e bukur dhe e mbarë për Kosovën dhe barazinë në Kosovë.

Të ngjashme