Kusari-Lila synon ta qeverisë Gjakovën edhe për një mandat

Prishtinë | 29 Mar 2017 | 09:32 | Nga

Themeluesja e partisë “Alternativa”, njëherësh kryetare e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se subjekti i saj i ri politik do të marrë pjesë në zgjedhjet lokale në gjitha komunat.

Në një intervistë për “Epoka e re”, Kusari-Lila ka thënë se do të garojë edhe për një mandat të ri në Komunën e Gjakovës.

“Unë kam shprehur gatishmërinë time edhe për një mandat qeverisës në Gjakovë, pasi vetëm një mandat nuk ka mjaftuar për të përfunduar me sukses një mori projektesh dhe aktivitetesh, meqë Gjakova ka qenë e lënë pas dore. Prandaj duhet edhe një mandat për t’u finalizuar çdo gjë”, është shprehur ajo.

Kusari-Lila i ka ftuar qytetarët t’i bashkohen Alternativës. Ajo është e bindur se Alternativa do të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës kurdo që mbahen zgjedhjet parlamentare.

“Për të gjithë ata që duan ta shohin Kosovën me një kapitull të ri, Alternativa është mundësia. Kurdo që të mbahen zgjedhjet, Alternativa do të bëhet parlamentare”, ka deklaruar Kusari-Lila, duke bërë me dije se koncepti i themelimit dhe zhvillimit të Alternativës ka të bëjë me një koncept politik ndryshe.

Duke folur për qeverisjen në vend, të drejtuar nga dy partitë e mëdha, LDK-ja dhe PDK-ja, Kusari-Lila ka theksuar se janë lënë anash shumë probleme të rëndësishme të qytetarëve.

“Koalicioni është marrë vetëm me demarkacionin dhe asociacionin. Pajtohem që demarkacioni me Malin e Zi është i rëndësishëm, por nuk pajtohem që duhet të marrë gjithë këtë hapësirë kohore dhe gjithë këtë peshë në raport me zhvillimin ekonomik, papunësinë, luftimin e korrupsionit dhe sundimin e rendit dhe ligjit”, është shprehur ajo.

Kusari-Lila ka thënë se partitë politike në pushtet dhe ato në opozitë kanë dështuar të krijojnë një konsensus politik për temat të cilat nuk do të duhet të ishin ndarëse, por bashkuese.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme