Kusari-Lila tenton të arsyetojë stagnimin në dialog: Ecja me çdo kusht përpara, nuk është alternativë

Prishtinë | 15 Maj 2022 | 16:00 | Nga Ekonomia Online

Shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila nëpërmjet një postimi në Facebook iu është përgjigur kritikave për stagnim të procesit të dialogut midis Kosovës dhe Serbisë.

Ajo në këtë postim ka thënë se kritikat nga brenda e jashtë Kosovës tregojnë mungesë të reflektimit në përvojën e deritanishme në dialog por edhe tentojnë të krijojnë bindjen se Kosova nuk është konstruktive.

“Për ata brenda vendit, të mundohesh të dëmtosh Qeverinë duke dëmtuar vendin, nuk është as mençuri dhe as patriotizëm. Për ata jashtë vendit, është Serbia ajo që aspak nuk qëndron në linjë me parimet e demokracisë dhe lirisë. Rasti i fundit i agresionit Rus ndaj Ukrainës, dhe rreshtimi i Serbisë krah Rusisë, është treguesi më i mirë i mungesës së çfarëdo vetëdije të Serbisë për demokraci, liri dhe integritet territorial të shteteve të pavarura.”, ka shkruar Kusari-Lila.

Kusari-Lila është shprehur se ecja me çdo kusht përpara nuk është alternativë ndaj stagnimit.

Ky është postimi i saj:

Kritikat nga qarqe brenda dhe jashtë vendit për stagnim në procesin e dialogut, jo vetëm që po tregojnë mungesën e reflektimit në përvojën e deritashme të pasukseshme në këtë proces, por edhe po synojnë të krijojnë bindjen e rreme se është Kosova ajo që nuk është konstruktive.
Për ata brenda vendit, të mundohesh të dëmtosh Qeverinë duke dëmtuar vendin, nuk është as mençuri dhe as patriotizëm.
Për ata jashtë vendit, është Serbia ajo që aspak nuk qëndron në linjë me parimet e demokracisë dhe lirisë. Rasti i fundit i agresionit Rus ndaj Ukrainës, dhe rreshtimi i Serbisë krah Rusisë, është treguesi më i mirë i mungesës së çfarëdo vetëdije të Serbisë për demokraci, liri dhe integritet territorial të shteteve të pavarura.
Guximi asnjëherë nuk është i barazvlefshëm me çmendurinë, përkundrazi. Prandaj, nuk është guxim ngarendja për të dëmtuar integritetin e sovranitetin e vendit. Madje kjo që po theksohet si guxim është frika më e madhe.
As ecja me çdo kusht përkundër dëmit që i bëhet vendit nuk është as progres e as alternativë ndaj stagnimit. Kombinimi i këtyre dy frazave ”guxim” dhe ”stagnim” në sensin e ngritjes së një urgjence për të nënshkruar me Serbinë përveçse ka qenë logjikë e negociimit të deritashëm është e rrezikshme dhe cënon pozicionin e Republikës së Kosovës.

Të ngjashme