Kusari-Lila tregon nëse do të kandidojë prapë për Gjakovën

Prishtinë | 13 Qer 2017 | 18:01 | Nga

Rezultatet e fundit të zgjedhjeve të cilat e nxorën koalicionin LDK-AKR si partinë e tretë në Gjakovë e kanë bërë të mendojë Mimoza Kusari Lilën.

Në një prononcim për meida Kusari-Lila ka thënë se është duke e shqyrtuar mundësinë e kandidimit apo jo për kryetare të Gjakovës.

“Ky është një vendim që duhet ta artikuloj ditëve në vijim, për arsye se është një rezultat zgjedhor i cili sjell dyshime mbi qëndrueshmërinë dhe performancën time këtu, por besoj që brenda ditëve apo javëve në vijim do ta kem një përgjigje, apo një vendim për këtë çështje, sepse tash për tash nuk ka një vendim”, tha Mimoza Kusari Lila për KALLXO.com.

Ajo thotë se nuk e sheh si sukses rezultatin e këtyre zgjedhjeve.

“Rezultatet preliminare duhet të analizohen, sigurisht që ka shumë faktorë, njëri prej faktorëve është edhe ajo që është një ndarje se si votohet në nivelin qendror dhe si në nivelin lokal. Natyrisht që nuk e shoh fare si sukses, as si personal, e as të institucionit që drejtoj. Po mendoj që ideja e votimit për ndryshim në nivel qendror e ka kapur edhe Gjakovën, në mënyrë që të jep përparësi një ndryshimi substancial në ndërrim të qeverisjes që ka qenë”, tha në mes tjerash e para e Alternativës, Mimoza Kusari Lila.

Ajo shtoi se edhe para se të mbahen zgjedhjet, kanë qenë të qartë që nuk do të jenë pjesë e një qeverie ku është edhe PDK-ja. Sipas saj, me Vetëvendosjen mund të ketë bashkim të pikave dhe objektivave programore.

Kusari Lila nuk beson që mund të ketë deputetë të koalicionit LDK-AKR-Alternativa që mund të largohen për t’iu bashkuar një koalicioni tjetër, në këtë rast PAN-it.

“Absolutisht nuk besoj që do të ketë deputetë që do të largohen nga koalicioni jonë që bashkëngjiten koalicionit tjetër, mirëpo unë ju siguroj për një gjë që askush nga Alternativa nuk do të kalojë në boshtin tjetër”, tha Kusari Lila.

Sipas rezultateve zyrtare të prezantuara nga KQZ pas numërimit të 99.88% të votave, koalicioni i drejtuar nga LDK është radhitur i treti me 25,79% të votave, prapa koalicionit PDK-AAK-Nisma që ka fituar më së shumti vota – 33,91% dhe Lëvizjes Vetëvendosje – 27,16%.

Ndërsa në Komunën e Gjakovës, koalicioni LDK-AKR-Alternativa ka dalë i treti, ani pse Mimoza Kusari-Lila dikur ka qenë nënkryetare e AKR-së dhe tani kryetare e Alternativës.

Koalicioni LDK-AKR-Alternativa renditet i treti në Gjakovë me rreth 23%. Koalicioni PAN ka dalë i pari në Komunën e Gjakovës me rreth 41%, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje renditet e dyta me rreth 30%.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme