Kush çoi komente në Kushtetuese dhe a mund të ketë vendim para 29 majit?

Prishtinë | 11 Maj 2020 | 17:31 | Nga Ekonomia Online

Ky muaj është vendimtar për betejën Vetëvendosje – LDK – Presidencë, të cilat  kanë pretendimet e tyre për atë se kush ka të drejtë të krijojë Qeverinë pas rënies së Albin Kurtit. Nga Gjykata Kushtetuese, e cila ka vënë si afat të fundit 29 majin për të dhënë një përgjigje, për Gazetën Express kanë bërë të ditur se kjo lëndë po trajtohet me urgjencë, derisa, kanë treguar se kush ka dërguar komente për lëndën.

Gjykata Kushtetuese do ta thotë fjalën e fundit për luftën në trekëndëshin Vetëvendosje – LDK -Presidencë duke e zgjidhur dilemën disa javëshe  se kujt i takon e drejta për ta krijuar qeverinë pas rënies së asaj të drejtuar nga Albin Kurti.

Kushtetuesja e ka pezulluar deri më datën 29 maj zbatimin e dekretit të presidentit Hashim Thaçi për emërimin e mandatarit të ri për kryeministër. Vetëvendosje është duke kërkuar që vendi të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme pas mocionit për rrëzim të qeverisë Kurti, ndërsa, LDK tashmë ka arritur marrëveshje me AAK’në, Nismën, Listën Serbe e minoritetet, për krijim të një qeverie të re në krye me Avdullah Hotin.

Derisa zbatimi i dekretit mbetet pezull deri në fund të majit, Gjykata Kushtetuese ka bërë të ditur në një përgjigje për Gazetën Express se janë duke e trajtuar këtë lëndë me urgjencë dhe prioritet.

“Gjykata e ka bërë të qartë se këtë lëndë është duke e trajtuar me urgjencë dhe prioritet”, ka thënë Veton Dula, Drejtor i Zyrës për Komunikim dhe Informim në Kushtetuese.

Nga Kushtetuesja nuk kanë dhënë afate se kur mund të jepet vendimi përfundimtar për këtë çështje. Vendimi meritor sipas tyre do të merret pasi që të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve nga palët e interesit.

“Kjo lëndë është duke u shqyrtuar. Vendimi meritor përkitazi me kërkesën në tërësi do të merret pasi që Gjykata të shqyrtojë të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të palëve të interesit”, thuhet në përgjigje.

Gazeta Express ka pyetur se cilat prej palëve të interesit kanë dhënë komente lidhur me kërkesën në këtë institucion.

Të njëjtët kanë bërë të ditur edhe se afati i përcaktuar për komentet ka qenë deri me datë 8 maj.

“Komentet e tyre përkitazi me meritat e kërkesës, në afatin e përcaktuar nga Gjykata deri më 8 maj 2020, i kanë dorëzuar: Presidenti i Republikës së Kosovës, Kryetarja e Kuvendit, Kryeministri në detyrë,  Avokati i Popullit, Nënkryetarja e Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje, Arbërie Nagavci , Grupi Parlamentar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Deputeti i LDK-së, Arban Abrashi, Deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga AKR: z. Behgjet Pacolli dhe znj. Mirlindë Sopi – Krasniqi, të mbështetur edhe nga deputetët nga NISMA Socialdemokrate: Endrit Shala, Haxhi Shala dhe Albulena Balaj – Halimaj”, thuhet në përgjigjen e Kushtetueses për gazetën.

Një vendim i Gjykatës Kushtetuese, do të sqarojë nëse shumica parlamentare mund të krijojë qeverinë e re, pa fituesin e zgjedhjeve, ose nëse kjo e drejtë i takon vetëm atyre që dalin të parët.

Se Kushtetuesja do të vendosë para fundit të majit, kanë deklaruar për edhe njohësit e çështjeve juridike.

Ehat Miftaraj nga IKD, thotë se Kushtetuesja fare lehtë mund të përfundojë me një aktgjykim që mund të mos i jep të drejtë presidentit apo LVV’së, ndërsa cakton afat ligjor për partinë fituese që të realizoj të drejtën për të formuar qeverinë.

“Duke marrë për bazë se Gjykata Kushtetuese deri më tani ka një praktikë të ndërtuar nga vendimi  i saj i mëhershëm i vitit 2014, lidhur me formimin e qeverisë, do të ishte e pritshme  dhe e natyrshme që GjK të vendos brenda një afati të arsyeshëm kohor, që nënkupton para datës 29 maj 2020.  Duke marrë për bazë faktin se në këtë fazë kontestuese janë çështjet që kanë të bëjnë afatin ligjor kur partia fituese duhet të propozoj mandatarin për Kryeministër tek Presidenti, dhe të drejtën dhe obligimin e  partisë fituese që herën e parë që vet ose në mungesë të votave të mjaftueshme të gjej partner për të formuar qeverinë, Gjykata Kushtetuese fare lehtë mund të përfundoj me një aktgjykim i cili në të njëjtën kohë mund të mos i jap të drejtë apo të kontestoj qëndrimet publike si të Presidentit ashtu edhe VV dhe partive që tanimë kanë arritur marrëveshje për formimin e qeverisë së re, kjo duke caktuar afat ligjor për partinë fituese që të realizoj të drejtën e saj për të formuar qeverinë, dhe nëse kjo nuk do të ishte e mundur atëherë të kalohet në rundin e dytë”, thotë ai, teksa shton se duhet të shikohet neni 82 apo të zbatohet neni 95 i Kushtetueses.

“Përjashtimisht do të jetë e rëndësishme të shihet qëndrimi i GjK lidhur me atë nëse vendi duhet të shkoj në zgjedhje sipas nenit 82 apo do të zbatohet neni 95 i Kushtetutës dhe vazhdimi me formimin e qeverinë se re nga zgjedhjet e 6 nëntor 2019”, ka thënë Miftaraj.

Profesori i Çështjeve Juridike Kushtetuese, Mazllum Baraliu thotë se Gjykata duhet të vendosë para 29 majit, pasi që ky afat është i fundit i paracaktuar për të dhënë vendimin për kërkesën e parashtruar.

“Ka mundësi para kësaj date dhe duhet të ndodhë para kësaj date, sepse data 29 maj është data e fundit e përcaktuar dhe duke ditur që nga këndvështrimi gjykatës, pa dyshim që nuk është rast i vështirë është një rast që ka përgjigje që nuk do të kërkonte kohë shtesë dhe angazhim shtesë të gjykatës mund të pres që të bëhet para kësaj date, gatishmëria për përgjigje dhe vendim përfundimtar të Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë ai.

Baraliu shton se shumë vendime të Kushtetueses që disa vite kanë shkaktuar dilema dhe mospajtime, derisa, ai ka kërkuar që të merret një vendim në pavarësi të plotë nga cilido tabor politik.

“Duke pasur parasysh përvojën e deritanishme disa vjeçare të kësaj Gjykate, marrë parasysh anët e ndryshme taborët politike dhe jo politike dhe bindjet e njerëzve për qytetarët e Kosovës ka pasur raste të ndikimeve, tjetra është që shumë prej vendimeve që janë marrë nga kjo Gjykatë kanë shkaktuar dilema dhe mospajtime madje të shumta dhe afatgjata te qytetarët, madje disa prej tyre edhe tani kanë dilema njëri prej vendimeve që ka me një mënyrë apo tjetrin me rastin e dekretit të presidentit dhe të kontestit të tanishëm mes dy palëve është pikërisht vendimi i vitit 2014-të të kësaj gjykate i cili ka krijuar tashmë një praktikë e cila po të respektohet nuk do të duhej të kishte madje as dekret të presidentit dhe as marrëveshje të subjekteve për të arnuar një qeveri me anëtarë të koalicionit por të shohim si të jetë, shpresojmë që kjo gjykatë të jetë konsoliduar të ketë pavarësinë e saj dhe të mos ndikohet nga asnjëra palë. Do të duhet ta krijojë integritetin e saj institucional si institucion i pandikuar politikisht dhe i pavarur juridikisht”, ka thënë ai për Gazetën.

Pasi që Vetëvendosje nuk ka dorëzuar emrin e mandatarit që është kërkuar nga presidenti, këtë të drejtë i pari i shtetit e ka kaluar te partia e dytë e dalë nga zgjedhjet e gjashtë tetorit, të cilës iu kërkuar që të dëshmojë nëse i ka votat që i duhen për të propozuar e votuar qeverinë e re.

Ky dekret i presidentit është dërguar për interpretim në Kushtetuese nga Lëvizja Vetëvendosje, derisa, të njëjtit kanë kërkuar opinion edhe nga Komisioni i Venedikut.

Këta të fundit megjithatë, kanë thënë se duhet të respektohet dhe pritet shqyrtimi i kërkesës dhe vendimi i Kushtetueses.

Të ngjashme