Kush duhet ta udhëheqë dialogun, Thaçi apo Hoti?

Prishtinë | 15 Qer 2020 | 15:46 | Nga Ekonomia Online

Kosova dhe Serbia ka vite që po negociojnë me njëra tjetrën në një dialog të stërzgjatur, dhe ende nuk kemi një marrëveshje të finalizuar mes palëve.

Përkundër shumë përpjekjeve, është bërë e ditur se java në të cilët po hyjmë do të bëj një kthesë në këtë drejtim, duke bërë një rinisje të dialogut e mbase edhe një finalizim.

Mirëpo dilema se kush duhet të udhëheq dialogun Presidenti apo Kryeministri, ka zgjuar debat në vend.

Sipas njohësit të rrethanave politike në vend,Ramush Tahiri, primatin e udhëheqjes së këtij dialogu deri në arritjen e një marrëveshjeje të paqes, duhet ta ketë presidenti i vendit, Hashim Thaçi.

“Duke ditur se presidenti zgjidhet me 2/3 e deputetëve në Kuvend, ai ka rolin unifikues, e përfaqëson Kosovën brenda dhe jashtë, janë këto arsyet që favorizojnë presidentin në udhëheqjen e dialogut në  këtë fazë”, ka thënë Tahiri për IndeksOnline.

Mirëpo kjo sipas Tahirit, nuk përjashton mundësinë që të përfshihet edhe kryeministri i vendit.

Madje siç thotë Tahiri për IndeksOnline, pak rëndësi ka se kush do të hedh nënshkrimin në marrëveshjen finale, pasi që ajo në fund duhet të dërgohet në Kuvend për ratifikim nga ana e 2/3 të deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

“Se kush duhet të nënshkruaj këtë marrëveshje, nuk ka shumë rëndësi, pasi që ajo në fund prapë duhet të dërgohet para deputetëve, për ratifikim dhe atë me 2/3 e votave”,ka sqaruar Tahiri.

E rëndësishme sipas tij mbetet edhe ajo se si Kosova e sheh marrëveshjen me Serbinë, a duhet të ketë një marrëveshje të paqes, e cila do të nënkuptohen reparacionet e luftës, kompensimin e dëmeve që I ka shkaktuar Serbia Kosovës, apo një njohje reciproke në mes të të dyja vendeve, njohje kjo që nuk ka nevojë t’i nënshtrohet votës së deputetëve më pas për aprovim. Pastaj se a do të vendosin shtetet të hapin ambasada, apo zyre kjo mbetet të diskutohet, ka theksuar Tahiri.

Ndryshe gjatë ditës së sotme presidenti i vendit ka zhvilluar një takim me kryeministrin e Kosovës, Avdullah Hoti të parin prej se Hoti është zgjedhur kryeministër.  Thaçi me këtë rast ka thënë se bashkë me Hotin do të jenë përkrah njëri tjetrit edhe në dialogun me Serbinë, duke theksuar tutje se kushtetua e vendit i ka përcaktuar qartë detyrat e secilit.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme