Kush është gjermani që po e mbështet Ramushin për kryeministër

Prishtinë | 06 Qer 2017 | 15:44 | Nga

Në një tubim të AAK-së në Gjakovë, në skenë me kandidatin për kryeministër, Ramush Haradinaj, dhe kandidatët për deputetë të koalicionit PDK-AAK-Nisma, ka hipur edhe një ish-zëvendësministër gjerman i Angela Merkelit.

Friedbert Pflüger, nga Gjermania, ka ardhur në Kosovë ta mbështesë Ramush Haradinajn për kryeministër.

Ai në Gjermani, në mandatin e parë të Angela Merkelit, gjatë viteve 2002 deri më 2005, ka shërbyer si zëvendësministër i Mbrojtjes dhe zëdhënës për politika të jashtme në grupin parlamentar të CDU/CSU.

Fjalimin e tij e nis me “përshëndetjet më të përzemërta nga Gjermania, për të gjithë!”. E më pas, thotë se ka vetëm dy fjalë për t’i shtuar, e ato i deklaron në anglisht.

“Ne jemi të interesuar që Kosova, si shteti më i ri në Evropë, e njohur nga 111 vende të botës, të ecë përpara. Pas periudhave të vështira të luftës, tanë është shansi më i mirë për qeveri të fortë dhe lider të fortë, me Ramush Haradinajn dhe ekipin e tij”, thotë gjermani Friedbert Pflüger.

“Këtij vendi i duhet punë, punë, punë, për të rinjtë dhe uroj që kjo të bëhet”, thotë ai, i bindur se vetëm me Ramush Haradinajn kryeministër dhe koalicionin PDK-AAK-Nisma, do të arrihet një gjë e tillë.

“Ju uroj çdo të mirë me liderin e ri, me qeverinë e re dhe partnerët më të mirë të koalicionit”, thotë ai në fund të fjalimit të tij në Gjakovë.

Ndryshe, Friedbert Pflüger, gjatë viteve 1998 deri më 2002 ka qenë anëtar i Komisionit për BE në Bundestagun gjerman. Nga viti 1990 deri më 2006 ai vazhdimisht ka fituar mandat në zgjedhje për të qenë anëtar i parlamentit gjerman.

Pflüger është ligjërues në disa nga universitete më prestigjioze të botës dhe drejtorë në disa institute kredibile dhe me renome në Evropë.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme