Kushtet e deputetëve të LDK-së për Demarkacionin (Dokument)

Prishtinë | 05 Maj 2017 | 19:38 | Nga

RTV Dukagjini ka siguruar dokumentin e formuluar nga deputetët e LDK-së, për t’i dhënë zgjidhje çështjes së Demarkacionit me Malin e Zi. Në këtë dokument kërkohet riinegocimi i pikave të kontestuara, ndërsa në rast dështimi të një marrëveshjeje me Kosovës e Malit të Zi, atëherë do të kërkohet vendimi i Gjykatës së Arbitrazhit.

Deputetët e LDK-së propozojnë që demarkacioni të votohet, por që të mundësohet më pas korrigjimi i pikave të kontestuara. Propozimi përmban dy anekse: i pari është marrëveshja tashmë e nënshkruar me 25 gusht para dy viteve, dhe aneksi i dytë paraqet propozimin e deputetëve të PDK-së.

Pika e parë e aneksit të dytë thotë se “Qeveria e Kosovës të rinegociojë me Qeverinë e Malit të Zi Marrëveshjen e 25 gushtit 2015 për Shënjimin e Kufirit brenda afatit prej 1 viti nga dita e hyrjes në fuqi të Ligjit për Ratifikimin e Marrëveshjes me të dyja anekset”, duke sqaruar më pas në pikën e katërt se rinegociimi do të ndodhte për pikat Qafë e Çakorrit dhe Bjelluhës, si dhe për Qafën e Kullës së Zhlebit.
Gjithashtu, LDK-ja kërkon një komision të ri shtetëror për këtë rinogociim, që nuk do të përfshinte asnjë nga anëtarët e mëparshëm të komisionit.

Por, në rast se për këtë propozim, dy qeveritë, ajo e Prishtinës dhe e Podgoricës nuk pajtohen, atëherë pika katërt e kësaj marrëveshjeje do të dërgohet në arbitrazh të përshpejtuar

“Në rast se brenda afatit njëvjeçar, dy qeveritë nuk arrijnë pajtim lidhur me pikat kontestuese, Kosova dhe Mali i Zi pajtohen të dërgojnë çështjen e shënjimit të kufirit në arbitrazh ndërkombëtar, duke përzgjedhur opsionin e arbitrazhit të përshpejtuar (Fastrack Arbitration), vendimi i të cilit do të pranohet dhe zbatohet nga të dyja palët”, thuhet në pikën pesë të kësaj kërkese.
Ky propozim ka sqaruar se “Aneksi i Parë, i cili përfshinë Marrëveshjen për Shënjimin e Kufirit të 25 gushtit 2015, nuk do të hyjë në fuqi pa u plotësuar kushtet e Aneksit të Dytë, në përputhje me dispozitat e reja për hyrje në fuqi”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme