Kushtet e pazbatueshme të Listës Serbe

Prishtinë | 01 Shk 2017 | 13:38 | Nga

Pavarësisht se zyrtarët e Qeverisë së Kosovës kanë kontakte të vazhdueshme me përfaqësuesit e Listës Serbe, nga këta të fundit ende nuk ka sinjale se do të rikthehen në institucionet qendrore të vendit, në të cilat e kanë “ngrirë” pjesëmarrjen që nga tetori i vitit të kaluar.

Zëvendësministri i Administrimit të Pushtetit Lokal i Qeverisë së Kosovës, Bajram Gecaj, njëherësh edhe këshilltar i kryeministrit Isa Mustafa për komunitete, duke folur për Radion Evropa e Lirë, thotë se janë duke bërë përpjekje për të gjetur mënyrën e kthimit të përfaqësuesve të Listës Serbe në institucionet qendrore.

Megjithatë, sipas tij, një kthim të tillë, përfaqësuesit e Listës Serbe e kanë kushtëzuar me kërkesën që për fillimin e punës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, të ketë një dekret nga kryeministri Mustafa. Gecaj, thotë se një gjë e tillë është e panevojshme.

“Ne e kemi pasur të paraparë që çështjen e Asociacionit – pra, të marrëveshjes që e kemi nënshkruar në gusht të vitit 2015 – ta dërgojmë me dekret në Gjykatën Kushtetuese. Këtë tashmë e ka bërë ish-presidentja (Atifete Jahjaga). Kështu që nuk ka nevojë që ne prapë ta ripërsërisim, sepse do ta kemi të njëjtin rezultat. Dekreti i ardhshëm do të jetë kur statuti i Asociacionit do të përfundohet. Atëherë, qeveria me dekret e dërgon në Gjykatën Kushtetuese. Pra, dekret do të ketë kur të përpilohet plotësisht statuti”, tha Gecaj.

Në anën tjetër, Radio Evropa e Lirë ka kontaktuar përfaqësuesit e Listës Serbe por ata nuk kanë qenë të gatshëm të japin përgjigje lidhur me mundësitë e kthimit të tyre në institucione qendrore dhe kushtet eventuale për një kthim të tillë.

Por, zëvendëskryeministri i Kosovës, Branimir Stojanoviq nga radhët e Listës Serbe, u ka thënë medieve serbe se pret që në takimin e 1 shkurtit, në kudër të dialogut në Bruksel, ndërmjet autoriteteve të larta të Kosovës dhe të Serbisë, të bisedohet lidhur me themelimin e Asociacionit.

Lidhur me kthimin e mundshëm në institucionet qendrore të Listës Serbe, ai ka theksuar:

“Nëse ekziston gatishmëria që të zbatohet ajo për të cilën ne kemi dalë nga institucionet, atëherë mund ta mendojmë kthimin. Por, nëse nuk ka zgjidhje, atëherëunë nuk shoh se si do të kthehemi”, ka thënë Stojanoviq.

Lista Serbe e kishte ngrirë pjesëmarrjen në institucione qendrore në tetor në shenjë proteste ndaj miratimit të Ligjit për Trepçën dhe të Ligjit për investime strategjike.

Njohësi i zhvillimeve politike, Rangjel Nojkiq, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb, kushtëzimet e Listës Serbe i sheh si një lojë joparimore.

“Mund të thuhet se po e luajnë lojën ‘macja dhe miu’. Por, megjithatë, duhet të thuhet qartë se çfarë është marrëveshja në Bruksel dhe me çfarë kushtesh formohet Bashkësia e komunave serbe. Dokumenti për këtë, duhet të jetë brenda kornizës së akteve ligjore, qoftë ligjit qoftë Kushtetutës së Kosovës”.

“Ta zëmë që merren vesh dhe ta bëjnë çfarëdo dokumenti të vlefshëm për formimin e Bashkësisë e komunave serbe, por kjo në të ardhmen nuk ka asnjë rëndësi në qoftë se nuk përligjet. Për këtë arsye është e nevojshme që serbët të jenë në institucione dhe për këtë e nevojshme që të ekzistojnë dokumente, në bazë të të cilave do të ishte obliguese për të dyja palët që bashkësia e komunave serbe të formohet”, tha Nojkiq.

Ai ka shtuar se në dokumentet e publikuara në faqen e internetit të Zyrës për Kosovën të qeverisë së Serbisë, është thënë qartë se për dokumentet e krijuara lidhur me themelimin e Asociacionit, fjalën përfundimtare e ka Gjykata Kushtetuese e Kosovës.

Zëvendësministri Gecaj ka theksuar se i gjithë dialogu në Bruksel, është për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Por, sipas tij, nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve përderisa përfaqësuesit ekomunitetit serb janë jashtë institucioneve të vendit.

Ndërkaq, Nojkiq vlerësoi se kthimi i Listës Serbe në institucione është vetëm çështje kohe dhe ai beson se për këtë kthim do të ekzistoj një pajtim në Bruksel.

Megjithatë, siç ka thënë ai, e dëmshme në këtë rast është se vendimin për kthim do ta sjellë Beogradi, ndërkohë që një vendim të tillë, sipas tij, është dashur ta marrin vet përfaqësuesit e Listës Serbe.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme