Kushtetuesja i drejtohet një forumi të Komisionit të Venecias, “pyetjet e paragjykojnë rezultatin”

Prishtinë | 16 Maj 2020 | 09:44 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Kushtetuese e Kosovës i është drejtuar një forumi të Komisionit të Venecias, me kërkesën për të marrë opinione rreth rastit që e ka në shqyrtim, e që lidhet me mandatarin për formimin e qeverisë së re të Kosovës. Pyetjet orientojnë vendimmarrjen kah rrëzimi i kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje (LVV).

Anëtarët e Forumit të Venecias – një mekanizëm i brendshëm që ofron shërbime për vendet anëtare dhe gjykatat e tyre, të cilave ua përcjell përvojat nga shtete të ndryshme – nuk janë pyetur fare nga Gjykata për kushtetutshmërinë e Dekretit nr. 24/2020 të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i cili e bën të propozuarin e Lidhjes Demokratike (LDK), z. Avdullah Hoti, mandatar për formimin e Qeverisë së re, ani se kjo parti nuk është fituese e zgjedhjeve të fundit, shkruan KOHA.

Një burim i gazetës në Kushtetuese i ka thënë gazetës të premten se formulimi i pyetjeve nga gjykata është sikur të bëheshin nga ndonjë avokat i presidentit Thaçi.

“Në letrën që është dërguar në ‘Venice Forum’, kërkohen opinione në pyetjet që po i parafrazoj: A duhet të shkohet domosdo në zgjedhje pas një mocioni mosbesimi kundër Qeverisë dhe a mundet Kuvendi të formojë qeveri me shumicë tjetër parlamentare nga ajo e dalë nga zgjedhjet”, ka treguar ky burim.

“Pyetjet e paragjykojnë rezultatin, sepse problemi nuk është a formohet qeveria a jo pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit e as nëse Kuvendi mund të formojnë një qeveri tjetër që nuk reflekton shumicën zgjedhore. Dihet mirëfilli se çdoherë mund të vijë deri të formimi i qeverisë së re pas mocionit të mosbesimit dhe çdoherë një Kuvend deri sa ta shpërndajë vetveten, mund ta themelojë një qeveri të re që reflekton raportin e forcave politike në Kuvend”.

Ky burim ka treguar edhe për përgjigjen që pritet nga Venecia.

Të ngjashme