Kushtetuesja i kërkon Kuvendit të ndryshojë Ligjin për Zyrtarët Publikë në raport me sistemin e drejtësisë

Prishtinë | 30 Qer 2020 | 16:49 | Nga Ekonomia Online

Gjykata Kushtetuese ka kërkuar nga Kuvendi i Kosovës të ndërmarrë veprimet e nevojshme për plotësim-ndryshimin e Ligjit për Zyrtarët Publikë, pasi ka konstatuar se ky ligj nuk mund të zbatohet në raport me sistemin e drejtësisë, duke thënë se cenohet pavarësia e tyre funksionale dhe organizative e garantuar me Kushtetutë.

Kjo gjykatë ka thënë se ligji nuk cenon dispozitat e Kushtetutës në raport me Agjencinë Kosovare të Forenzikës dhe nëpunësit civilë të Policisë së Kosovës.

Gjykata ka vendosur se s’është e nevojshme që ky ligj të shfuqizohet në tërësi. Moszbatimi i këtij ligji në raport me institucione të caktuara, sipas Kushtetueses, nuk e bën ligjin të pazbatueshëm në praktikë.

Deri në plotësim-ndryshimin, dispozitat e ligjit zbatohen vetëm për ata që nuk cenojnë pavarësinë funksionale dhe organizative të institucioneve, të referuara specifikisht në aktgjykim.

Ligji pritej të zëvendësonte Ligjin për Shërbyesit Civilë. Ai kishte hyrë në fuqi në nëntor të 2019-s. Avokati i Popullit në ankesën e tij kishte pretenduar se shumë nene nuk janë në pajtueshmëri me dispozitat kushtetuese. Gjykata kishte pezulluar ligjin fillimisht deri më 28 shkurt 2020, dhe më pas edhe dy herë të tjera.

Të ngjashme