Kushtetuesja ia bën “avokatin” presidentit

Prishtinë | 15 Mar 2019 | 08:11 | Nga Ekonomia Online

Ka avancuar tentativa e presidentit Thaçi për t’i përvetësuar kompetencat e Kuvendit dhe të Qeverisë.

Këtë e ka bërë duke marrë udhëzime nga kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, se me çfarë pyetje t’u drejtohet atyre.

Koha Ditore ka siguruar shkresat që e vërtetojnë këtë. Ato janë përplot me gabime drejtshkrimore e profesionale. Pas këshillimit nga institucioni që është thirrur për ta interpretuar Kushtetutën, Thaçi e ka vendosur në binarë kërkesën, duke kërkuar interpretim të nenit 113.3 (1), i cili flet për konfliktin e kompetencave mes presidentit, Kuvendit dhe Qeverisë.

Gjithë kjo ndërmarrje është bërë në kohën sa deputetët kanë qenë në pushim. Asnjë koment prej 120 deputetëve nuk e ka pranuar Gjykata. Komente nuk ka dërguar as Qeveria, që ka thënë se nuk është vënë dijeni për ndryshimin e kërkesës. Kushtetuesja e ka huqur edhe me EULEX-in, duke tentuar ta fusë këtë mision palë në procedurë.

Shefja e EULEX-it, Alexandra Papadopolou, i ka kujtuar kryetares së Kushtetueses, Arta Rama-Hajrizi, se ky mision nuk është organ i Kosovës, rrjedhimisht nuk mund të jetë palë në asnjë procedurë e asnjë cilësi në Kosovë. Një ekspert kushtetues dhe ligjor, që ka dashur të mbetet anonim, ka dhënë një interpretim për rastin. E ka cilësuar të paprecedentë dhe skandaloz. Sipas tij, Gjykata ka luajtur rolin e avokatit të palës – presidentit të Kosovës, ka shkelur procedurat duke mos i njoftuar palët në procedurë dhe është treguar naive duke tentuar ta fusë në lojë edhe EULEX-in.

Presidenti ka kërkuar t’i sqarohet konflikti rreth kompetencave me Kuvendin, kohën kur është paralajmëruar të mbërrihet marrëveshja përfundimtare me Serbinë. Thaçi ka marrë rolin prijës në këtë proces. Por opsioni i tij për korrigjim të kufijve, përveç opozitës, nuk përkrahet as prej partive në pushtet. Për shkak të idesë të tij, Thaçi ka hyrë në konflikt edhe me kryeministrin Haradinaj.

Për njohësit e rrethanave, kjo ndërmarrje e Thaçit është tentim për t’i uzurpuar kompetencat e Qeverisë dhe të Kuvendit, në fushën e lidhjes së marrëveshjeve ndërkombëtare.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme