Kuvendi, 4 seanca për 66 ditë

Prishtinë | 11 Nën 2017 | 08:42 | Nga

Katër seanca janë mbajtur deri më tash, ndonëse Kuvendi i ri është konstatuar qe 66 ditë. Përfaqësues të opozitës fajin për këtë po ia hedhin kryetarit të Kuvendit të Kosovës Kadri Veselit, pasi që ai ka lënë anash Kuvendin dhe është duke u marrë me fushatë zgjedhore për rundin e dytë të zgjedhjeve, që do të mbahen më 19 nëntor

4 seanca mbetet numri i seancave të mbajtura nga Kuvendi i Kosovës që nga konstituimi i tij qysh prej 66 ditësh. Pavarësisht faktit që ndërkombëtarët kanë kritikuar këtë gjë, zgjedhjet lokale që do të mbahen javën e ardhshme kanë lënë përsëri peng mbajtjen e seancave të Kuvendit, që pritet ta vazhdojë punën vetëm pas këtyre zgjedhjeve, shkruan Zeri.info
Deputet të Kuvendit, si ata të pozitës, ashtu edhe ata të opozitës së vendit, konsiderojnë se kjo “mospunë” e Kuvendit po bëhet për shkak se partitë në pozitë po mundohen t’i fshehin forcat reale politike në Kuvend. Arsyeja tjetër se pse Kuvendi nuk po mblidhet, sipas tyre, është pikërisht kryetari i Kuvendit, i cili, siç vlerësojnë ata, është duke u marrë me fushatë dhe me zgjedhje, duke harruar kështu punët e tij si kryetar i Kuvendit. Ndërsa analistët e vendit thonë se mosmbajtja e seancave plenare të Kuvendit po i shkakton vendit vonesa, gjë që po i dëmtojnë ligjet që po presin për procedim në Kuvend.

Halil Matoshi, zëdhënës i Qeverisë, thotë se Qeveria po punon me dinamikën e saj dhe është normale që Qeveria ta përcaktojë veprimin e saj në interes të qytetarëve. “Qeveria punon me dinamikën e saj dhe projektligjet i procedon sipas kësaj dinamike të përcaktuar dhe programit qeverisës. Është e natyrshme që Qeveria ta përcaktojë veprimin e saj konform platformës dhe programit dhe në interes të vendit e të qytetarëve të tij.

Pantina: Koalicioni qeverisës po mundohet t’i fshehë forcat reale politike në Kuvend

Shqipe Pantina, deputete nga lëvizje “Vetëvendosje”, në një prononcim për “Zërin” thotë se ky problem i mospunës së Kuvendit është i njëjtë me atë gjatë legjislaturës së Kosovës, gjë e cila po ndodh për shkak se partitë në pozitë të vendit po mundohen t’i fshehin forcat reale politike në Kuvend. “Është duke u përsëritur problemi i njëjtë sikur në legjislaturën e kaluar, kur Kuvendi mblidhej shumë rrallë dhe pastaj seancat stërngarkoheshin me pikat të rendit të ditës, dikur në 20 apo 30 pika e kjo mendoj unë që bëhej për dy arsye: e para, për ta shmangur sa më shumë kohën e deklarimeve ku deputetët kërkojnë llogari nga Qeveria dhe përgjegjësi për punët e moskryera dhe e dyta, bëhet për t’i fshehur forcat reale politike që janë në Kuvend”, ka thënë Pantina.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme