Kuvendi dështon t’i drejtohet BE-së me deklaratën për liberalizimin e vizave

Prishtinë | 29 Tet 2016 | 09:32 | Nga

Deputetët e partive politike në pushtet dhe ato të opozitës nuk kanë mundur të merren vesh rreth draft-deklaratës për liberalizim të vizave e cila parashihej t’i drejtohej Bashkimit Evropian.

Deklarata e propozuar në Kuvend është tërhequr nga rendi i ditës për shkak të mospajtimeve. Kjo deklaratë e përbashkët, ishte paralajmëruar se do t’i drejtohej Bashkimit Evropian me kërkesën që qytetarëve të Kosovës t’u hiqeshin vizat dhe të mos mbeten peng i vendimit për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Por, si rezultat i mospajtimeve, pozita dhe opozita dolën me dy deklarata dhe për këtë arsye u hoq me konsensus nga rendi i ditës,

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se për faktin që nuk ka një konsensus rreth draft-deklaratës, çështja do të duhej të shtyhet për ndonjë rast tjetër.

Dallimet kryesore, gjatë debatit parlamentar, vëreheshin te pika për marrëveshjen e Demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, si kriteri i fundit që Komisioni Evropian i ka vënë Kosovës para se të merret vendimi për heqjen e vizave.

Në mungesë të konsensusit rreth Demarkacionit, partitë në pushtet janë pajtuar që kjo pikë të fshihet dhe t’i adresohet BE-së vetëm kërkesa për liberalizim të pakushtëzuar.

Kurse opozita po insistonte që në deklaratë të thuhet që Demarkacioni do të rishqyrtohet në një proces të ri me Malin e Zi. (REL)

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme