Kuvendi duhet të konstituohet para 25 dhjetorit, shkak buxheti

Prishtinë | 09 Nën 2019 | 08:08 | Nga Hasan Hoti Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 6 tetorit, pritet që si rezultat të prodhojnë konstituimin e përbërjes së re të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë së re të Kosovës.

Kuvendi i Kosovës ka 120 ulëse, prej tyre 20 ulëse janë të garantuara për komunitetet joshumicë, përkatësisht 10 për komunitetin serb dhe po aq për komunitet tjera joshumicë.

Profesori universitar, Artan Murati, për Ekonomia Online, ka treguar hapat që do ta sjellin konsitituimin e Kuvendit.

Thotë se fillimisht duhet të bëhet certifikimi i rezultatëve të 6 tetorit nga ana e KQZ-së, e më pas të ftohet seanca për konstituim.

“Po si hap i parë i cili i paraprinë konstituimit të Kuvendit që do të dalë pas zgjedhjeve të 6 tetorit është pikërisht certifikimi i rezultateve dhe shpallja e tyre nga ana e KQZ-së. Pas këtij hapi i takon Presidentit që me një afat brenda 30 ditësh pas certifikimit të rezultateve të thërras seancën konstituive të Kuvendit, nëse Presidenti nuk e bën një gjë të tillë, atëherë edhe kryesia e vjetër e Kuvendit mund ta bëjë një gjë të tillë dhe në momnetin kur ftohet seanca konstituive ajo udhëhiqet nga deputeti/ja më vjetër në moshë e asistuar nga deputeti/ja më e re”.

“Fillimisht duhet të votohet për kryetarin e Kuvendit, i cili duhet të nominohet nga subjekti fitues, më pas duhet të votohen edhe nënkryetarët dhe kësisoj konstituohet Kuvendi dhe më pas kemi leximin e deklaratave të betimit nga ana e deputetëve, dhe kësisoj bëhet konstituimi i Kuvendit”, ka thënë Murati.

Pas kësaj, Murati thotë se krijohen mundësitë që të votohet Qeveria, ku i nominuari për kryeministër paraqet para deputetëve kabinetin e tij qeveritar.

“Atëherë krijohen mundësitë për t’u votuar edhe qeveria, ku i nominuari për kryeministër paraqet para legjislaturës së re edhe kabinetin i ri qeveritar. Kësisoj me votim të deputetëve votohet i tërë kabineti qeveritar dhe kështu krijohet dhe votohet edhe qeveria e re e cila del pas zgjedhjeve të 6 tetorit”, ka thënë Murati.

E njohës i çështjeve politike, Armend Muja, thotë se është e rëndësishme që të konstituohet Kuvendi para datës 25 dhjetor, pasi që pas kësaj date skadon afati i buxhetit të shtetit.

“Me gjithë këtë rrjedhë kohore ne duhet të kemi diku mes 20-25 dhjetor, duhet të kemi një qeveri të re të Kosovës, kuptohet nëse nuk ka pengesa politike. Mirëpo është e rëndësishme që qeveria të konstituohet se pastaj deri me 31 dhjetor zyrtarisht skadon afati i buxhetit të vitit 2019 dhe ka nevojë që të miratohet një buxhet i ri”.

“Aty unë shoh pak pengesa për arsye se qeveria e re po mendon të reduktojë numrin e ministrive në 12, në ndërkohë propozimi i buxhetit aktual i cili është dorëzuar me 31 tetor i ka 21 nënprograme që do të thotë se nuk mund të shpenzosh në Kosovë pa bërë ndryshime të kornizës afatmesme të shpenzimeve”, ka thënë Muja për EO.

“Mirëpo çka unë mendoj është se qeveria në ardhje mundet me ardhë me një propozim dhe nga prilli andej me i inicu procedurat për rishikimin e kornizës afatmesme të shpenzimeve për reduktimin e programeve dhe nënprogrameve dhe në anën tjetër të funksionalizimin e reformave strukturore që ata i kanë mendu”, ka thënë ai.

Si Muja po ashtu edhe Murati presin që kjo legjislaturë të jetë më efikase sesa ajo e kaluara, ku shumë ligje dhe projektligje kishin mbetur pa miratim. E gjithë kjo përshkak të mungesës së kuorumit. 

Të ngjashme