Kuvendi i Kosovës pritet të mbajë debat parlamentar për dialogun

Prishtinë | 25 Shk 2022 | 08:27 | Nga Ekonomia Online

Debati parlamentar lidhur me zhvillimet në dialogun Kosovë-Serbi do të zhvillohet sot në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës. Ky diskutim i paraparë për të enjten (dje) me pajtimin e të gjitha grupeve parlamentare është shtyrë për shkak të mungesës së zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi.

Shefi i deputetëve të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës(AAK), Besnik Tahiri ka kërkuar që me mocion procedural kjo pikë të zhvendoset për seancën e nesërme.

“Kemi diskutuar bashkërisht edhe me nënkryetaren e kuvendit mirëpo edhe me grupet parlamentare ka qenë kërkesë që për të zhvilluar debatin është mirë me qenë prezent edhe zëvendëskryeministri i parë zotëri Bislimi, i cili është po ashtu përgjegjës për dialog dhe jemi dakorduar ta shtymë debatin për nesër, ditën e premte në ora 11:00. Dhe kërkoj një mocion procedural që ta fusim në agjendë për nesër”, ka thënë Tahiri.

Kërkesën e Tahirit e ka përkrahur edhe Lëvizja Vetëvendosje(LVV), Partia Demokratike e Kosovës(PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës(LDK) sipas së cilëve diskutimi duhet të bëhet kur i pranishëm është kryenegociatori.

Të ngjashme