Kuvendi i mungesave të mëdha

Prishtinë | 01 Jan 2019 | 15:27 | Nga Ekonomia Online
56 Kuvendi i Kosovës në legjislaturën e gjashtë është përballur me mungesë të kuorumit shkaku i deputetëve të opozitës të cilët nga mesi i vitit kishin paralajmëruar bojkotim të seancave si dhe mungesës së deputetëve të pozitës.
Madje situata e mosfunksionimit të Kuvendit ishte quajtur paradoksale.

Agron Halitaj, i cili përcjell punën e Kuvendit, ka thënë për GJnK se gjendja në Kuvendin e Kosovës mund të përshkruhet si paradoksale.

“Askund në sistemet parlamentare nuk ndodh që funksionimi i Kuvendit të vihet në krizë për shkak të bojkotit të atyre që formalisht e përbëjnë shumicën parlamentare. Parimisht, opozita si pakicë, mund të bëhet shkaktare për moskalimin e marrëveshjeve ndërkombëtare, apo të ndonjë vendimi që kërkon votat e 2/3 të numrit të përgjithshëm të deputetëve, por në asnjë variant nuk mund të bëhet pengesë për rrjedhën e punës në Kuvend”, kishte thënë Halitaj.

Megjithëse kishte bojkotim të punës së Kuvendit, ky ishte viti ku Kuvendi ka rritur performancën.

Kuvendi i Kosovës deri më tani ka arritur t’i miratoj rreth 75 projektligje ndër to ratifikikimi i Marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, tri projektligjet për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në Ushtri, ligje që kanë të bëjnë me Agjendën për Reforma Evropiane, ligji për Kryeqytetin, projektligji për ndarjet buxhetore për vitin 2019, miratimi i rezolutës për ekipin negociator e shumë projektligje të tjera.

Instituti Demokratik i Kosovës KDI, vlerëson se Kuvendi i Kosovës e ka përmbushur mbi 41 për qind agjendën legjislative.

KDI vlerëson se nga 75 ligjet e miratuara, duke përjashtuar 19 marrëveshje ndërkombëtare, për 56 ligje të tjera të miratuara nga Kuvendi vetëm 12 prej tyre janë organizuar dëgjime publike, ndërkaq 44 ligje të tjera janë shqyrtuar dhe miratuar pa konsultim me publikun.

“Sa i përket mbikëqyrjes parlamentare, gjatë vitit 2018 deputetët opozitarë kanë iniciuar 13 interpelanca dhe 19 debate parlamentare, numër më i madh sesa përgjatë legjislaturës së V-të. Po ashtu, gjatë këtij viti janë realizuar 275 pyetje parlamentare, dhe 81 raportime në Komisione Parlamentare nga ana e ekzekutivit”, vlerëson KDI.

Agnesa Haxhiu, nga KDI, ka thënë për gazetën Jeta në Kosovë se gjatë këtij viti është kthyer në praktikë që asnjë seancë që nisë të mos përfundoj po atë ditë që thirret për tu mbajtur seanca.

“Janë edhe rreth 55 ligje të tjera në procedurë deri në fund të këtij viti, e që do të jetë e pamundur që të gjitha këto të përfundojnë deri në fund të këtij muaji. Andaj do të kemi përsëri bartje të projektligjeve nga një vit në tjetrin, siç edhe ka ndodhë pothuajse çdo vit”, ka thënë ajo.

Sipas saj, Kuvendi i Kosovës këtë vit ka shënuar regres edhe sa i përket transparencës financiare.

“Kuvendi i Kosovës deri më tani ka publikuar raportet e shpenzimeve për gjashtë mujorin e parë të këtij viti, mirëpo edhe në ato raporte që janë publikuar mungojnë të dhënat lidhur me arsyet e vizitave të deputetëve jashtë vendit, datat e qëndrimit në ato vizita dhe shpenzimet për bileta për secili deputet”, tha ajo.

Ndërkaq, deputetët e opozitës vlerësojnë se kjo legjislaturë ka pasur ngecje, kurse subjektet e koalicionit qeverisës kanë vlerësuar se ka qenë legjislatura më e mirë.

LDK: Kuvendi e ka të pamundur realizimin e agjendës legjislative

Kryetari i Grupit më të madh Parlamentar të LDK-së Avdullah Hoti, ka vlerësuar për gazetën Jeta në Kosovë se nga konstituimi i kësaj legjislature, Kuvendi i Kosovës nuk ka arritur të jetë funksional në kuptimin e plotë.

Hoti tha se nga muaji prill i këtij vitit, koalicioni PAN nuk ka legjitimitet.

“Si rrjedhojë, janë krijuar me dhjetëra raste të pa precedent për demokracitë parlamentare. Të tilla raste janë ato kur vetë deputetët e mazhorancës i bojkotojnë seancat, ose qëndrojnë në seancë e nuk marrin pjesë në votim. Kemi edhe rastet kur kryetari i Kuvendit bën shkelje të Kushtetutës duke mos ftuar seancat e jashtëzakonshme të iniciuara nga opozita. Për pasojë të sjelljeve të tilla të koalicionit PAN, Kuvendi e ka të pamundur realizimin e agjendës legjislative”, tha Hoti

Sipas tij mos funksionimi i Kuvendit ka cenuar përfaqësimin e interesave të qytetarëve në institucionin më të lartë përfaqësues.

“Çështjet që vërtetet prekin jetën e qytetarëve të Kosovës, siç janë mirëqenia sociale, punësimi, shëndetësia, arsimi, siguria individuale dhe kolektive, as që kanë pasur mundësi që të jenë në fokus të punëve të këtij institucioni. Të gjitha këto që përmenda më lartë tregojnë se ky Kuvend ka dështuar të realizoj mandatin e vet kushtetues, apo thënë më ndryshe ky Kuvend tashmë është shndërruar në Kuvend të improvizimeve”, shtoi Hoti.

Sipas tij LDK-ja është në opozitë, edhe pse është partia më e madhe në vend dhe kanë pasur agazhim maksimal, qoftë në seanca plenare qoftë nëpër komisione parlamentare, duke vënë në pah shkeljet e vazhdueshme.

“Të gjitha veprimet që kemi ndërmarrë kanë qenë kushtetuese dhe ligjore, dhe mbi të gjitha demokratike. Megjithëse, duhet thënë se gati secili veprim i ndërmarrë nga opozita ka hasur në arrogancë të pushtetit të pa legjitimitet. Me fuqinë e votës që kemi, ne kemi pamundësuar kuorumin në seanca për të shpërfaqur brishtësinë dhe mungesën e legjitimitetit të këtij koalicioni”, u shpreh Hoti.

Hoti tha se në pjesën e partë të vitit kanë iniciuar tryezat politike në përpjekje për të ndërtuar një konsensus për të nxjerrë vendin nga kriza institucionale dhe pavarësisht vullnetit dhe përpjekjeve të tyre kjo iniciativë nuk është përkrah nga partitë politike në koalicion.

Hoti tha se gjatë këtij viti kanë ndërmarrë iniciativë për të formuar disa komisione hetimore, siç është ai për rastin e dëbimit të gjashtë shtetasve turq apo ai për shpenzimet në emër të lobimit, janë thirrur tetë seanca të jashtëzakonshme, në të cilat kryesisht është debatuar për veprimet e gabuara të qeverisë lidhur me shpenzimet e parasë publike, liberalizimit të vizave, diplomacisë dhe procesit të dialogut me Serbinë.

Hoti në fund vlerëson se ky koalicion qeverisës është më i brishti dhe më i dobëti që ndonjëherë ka pasur Kosova.

“I formuar me koncesione joparimore ndaj partnerëve të vegjël dhe grupeve të interesit që janë bërë pjesë e qeverisë, ky koalicion është jo përfaqësues. Ndërkaq, funksionimi dhe vendimmarrja brenda tij karakterizohen me një qasje ad-hoc, jo programore, të motivuar nga interesa të ngushta politika dhe të grupeve të interest”, tha Hoti.

Ai pret që viti i ardhshëm do të jetë vit i kthesës për vendin.

PDK: Reformat në drejtësi një ndër të arriturat më të mëdha të Kuvendit

Memli Krasniqi, kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës kishte vlerësim të kundërt nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Krasniqi tha për GJnK se Kuvendi i Kosovës gjatë këtij viti ka qenë shumë aktiv edhe përkundër përshtypjes se ka pas vështirësi në funksionim shkaku i bojkotit të LDK-së dhe LVV-së.

“Kuvendi ka arritur që të miratoj 75 ligje janë edhe diku rreth 15 tjera të gatshme për miratim. Shumë ligje kanë kaluar leximin e parë janë miratuar rezoluta e akte të tjera normative që kur krahasohet edhe me vitet e tjera del se ka qenë një ndër vitet më të frytshme për sa i përket punës në këtë 10 vjeçar të pavarësisë”, tha Krasniqi.

PDK-ja si parti udhëheqëse e koalicionit qeverisës sipas Krasniqit tha se ka pasur barrën më të madhe të përgjegjësisë edhe për mbarëvajtjen e punës së Kuvendit dhe në këtë drejtim në bashkëpunim me grupet parlamentare të koalicionit Krasniqi tha se kanë arritur që ta shtyjnë agjendën legjislative përpara dhe të miratojmë pako të rëndësishme të reformave veçanërisht ato që lidhen me reformat evropiane dhe reformat në drejtësi dhe çështje të tjera të karakterit politik.

“Unë nuk jam i prirur t’i ndaj punët e Kuvendit si punë partiake sepse kontributin në punë të Kuvendit e japin gjithë deputetët. Por, besoj që bashkërisht kemi arrit të miratojmë pako të rëndësishme ligjore që lidhen me agjendën evropiane të reformave veçanërisht reformat në drejtësi për të cilat ministri Ableard Tahiri, qeveria dhe gjithë vendi ka marr lëvdata për sa i përket punës që është bërë në atë drejtim”, shtoi Krasniqi.

Ai pret që edhe vitin e ardhshëm të vazhdoj puna me këtë dinamikë.

AAK: Kuvendi ka miratuar ligje, që legjislatura e kaluar nuk ka parë as ëndërr ti kaloj

Ndërsa, grupi i tretë më i madh në Kuvendin e Kosovës, Lëvizja Vetëvendosje nuk iu është përgjigjur pyetjeve të gazetës Jeta në Kosovë, është subjekti i katërt Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e cila ka dhënë vlerësimin për punën një vjeçare të Kuvendit të Kosovës.

Muharrem Nitaj shef i i grupit Parlamentar të AAK-së, tha se në opinion është dukur që Kuvendi nuk ka qenë në ditët më të mira të tij, por realisht është bërë një punë e jashtëzakonshme.

Sipas Nitaj numri i ligjeve të miratuara në Kuvend brenda vitit, ka qenë më i madh se sa në gjithë mandatin e legjislaturës së kaluar. Numri i debateve dhe rezolutave të miratuara, poashtu sipas tij për një vit kenë më shumë se sa në gjithë mandatin e shkuar.

“Po ashtu ky Kuvend ka miratuar edhe disa ligje që legjislatura e kaluar nuk ka parë as ëndërr ti kaloj. Ju kujtoj demarkacionin, ligjet për ushtrinë, ligjin për kryeqytetin, për pallatin e rinisë, ligjet e agjendës evropiane dhe shumë marrëveshje e nisma të tjera. Natyrisht edhe së fundi votimi i ekipit të negociatave me Serbinë”, tha Nitaj.

Ndonjëherë sipas Nitaj ka pasur telashe që të krijohet kuorumi por puna është kryer dhe ky vit për Kuvendin ka qenë ndër vitet më të efektshme sipas tij.

Nitaj shtoi se deputetët e AAK-së kanë qenë ndër më të përgjegjshmit dhe gjithmonë të pranishëm në seanca plenare, në komisione, etj.

Ai tha se AAK-ja ka qenë nismëtare e ligjit për punëtoret e arsimit të viteve 90-të, të nismës ligjore për shtesat e fëmijëve, e kanë shtyrë me krejt fuqitë ligjin për kryeqytetin dhe se e llogaritin veten nder mbështetësit më të fuqishëm të 3 ligjeve për FSK-në.

“Natyrisht ka edhe shumë kontribute të tjera, por unë mbi të gjitha e vlerësoj konstruktivitetin e grupit të deputetëve të AAK-së, për gjithë aktivitetin dhe punën e Kuvendit për këtë vit”, tregoi Nitaj.

Sidat e Kuvendit sipas Nitaj kanë qenë shumë debate pa arsye te iniciuara nga opozita dhe numri enorm i rezolutave të miratuara.

Ndërkaq shpreson që Kuvendi vitin e ardhshëm të jetë edhe më i efektshëm për shkak se ka një mision të rëndë të mbikëqyrjes së procesit të bisedimeve me Serbinë.

PSD: Kuvendi karakterizohet me mungesë të menaxhimit efikas

Dardan Sejdiu, kryetar i GP të Partisë Socialdemokrate ka shtuar se Kuvendin e Kosovës për vitin 2018 e ka karakterizuar mungesa e menaxhimit efikas. Sipas tij me rregullore është e përcaktuar çdo gjë, si politike, po ashtu edhe administrative.

“Udhëheqja politike e Kuvendit nuk ka arritur të vendosë në binarë funksionimin efikas të Kuvendit e këtu e kam fjalën për thirrjen e seancave plenare, ose kur janë thirrur është vendosë për kohë të papërshtatshme”, tha Sejdiu.

Grupi Parlamentar i Partisë Socialdemokrate sipas Sejdiut ka shtruar çështje që kanë të bëjnë me mirëqenien sociale, ekonominë, shëndetësinë, drejtësinë dhe të tjera problem që lidhen direkt me qytetarin.

“Ne kemi iniciuar tre interpelanca, mbi 5 debate parlamentare. Po ashtu kemi proceduar me Projektligjin për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit për Hetim Parlamentar dhe Projektligjin për Referendum, të cilat janë miratuar në lexim të parë. Grupi ynë ka dërguar edhe Amendamentin e Nenit 22 të Kushtetutës që të përfshihet drejtpërdrejtë në Nenin 22 të Kushtetutës, Konventa e Këshillit të Evropës për Parandalimin dhe Luftën kundër Dhunës ndaj Grave dhe Dhunës në Familje në luftën kundër dhunës ndaj grave dhe dhunës në familje”, ka shtuar Sejdiu.

Sipas tij PSD-ja ka mbajtur Kuvendin e vet zgjedhor në maj të këtij viti dhe po ashtu e ka konstituar Kryesinë dhe Këshillin Drejtues.

“Partia Socialdemokrate, si njëra ndër partitë më konstruktive në vend, ka arritur të miratojë Rezolutën mbi Procesin e Dialogut për Normalizimin e Marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë, me të cilën është themeluar edhe Delegacioni Shtetëror. Me propozimin tonë, është draftuar edhe Ligji për këtë çështje, i cili pritet të dërgohet në qeveri për miratim dhe pastaj në Kuvend”, shtoi ai.

Që nga konstituimi i Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate, Sejdiu ka thënë se PSD-ja ka propozuar për miratim shumë çështje, e të cilat janë: Rezoluta për Unifikimin e Pikave Doganore ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Kosovës, Rezoluta për Hapjen e tërësishme të kontrollit për hyrjet – daljet e shtetasve të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë nëpërmjet pikave të kalimit kufitar në pikat kufitare; Vërmicë, Qafë Prush, dhe Qafë Morinë, Rezoluta për heqjen e Roamingut ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë, Rezolutën për lehtësimin e procedurave për bashkatdhetarët e të cilat të gjitha janë konkretizuar edhe me marrëveshje konkrete. Heqja e roamingut dhe unifikimi i doganave janë vendimet kryesore që u morën në nëntor të këtij viti ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë.

Sejdiu pret që viti i ardhshëm që po vije, të jetë më i mirë dhe vit në të cilin të gjitha subjektet politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës të trajtojnë dhe të konkretizojnë çështje të cilat kanë të bëjnë me mirëqenien sociale, ekonominë, shëndetësinë dhe arsimin.

NISMA: Viti 2018 nuk ka qenë viti më i mirë për Kuvendin e Kosovës

Grupi i NISMA Socialdemokrate, vlerëson për gazetën se viti 2018 nuk ka qenë viti më i mirë për Kuvendin e Kosovës duke pasur parasysh raportin e forcave në Kuvend dhe bojkotin e herëpashershëm të partive opozitare ka bërë që ky vit të mos jetë siç do të dëshironim për organin më të lartë legjislativ në vend.

“Si deputetë jemi angazhuar të përmbushim agjendën legjislative, megjithatë kjo nuk është arritur dhe nuk është hera e parë. Përkundër vështirësive që u theksuan më lartë si ligjvënës kemi miratuar disa ligje të cilat konsiderojmë se janë në interes të qytetarëve të Kosovës. Duhet veçuar votimin e pakove të ligjeve për FSK-në të cilat mundësojnë transformimin në Ushtri”, thuhet në përgjigje të NISMA-s.

NISMA, fillimisht është përbërë nga gjashtë deputetë, ndërsa në sesionin e dytë grupit i janë bashkuar edhe dy deputetët e pavarur Etem Arifi dhe Veton Berisha.

Sipas NISMA-s grupi parlamentar ka ngritur shumë çështje që janë në interes për qytetaret, si çështja e të pa gjeturve, çështja e Kishës Ortodokse në hapësirën e Universitetit të Prishtinës, ndotjen e ajrit, ngritja e çmimit të mishit dhe naftës e të tjera.

Po ashtu, në përgjigje thuhet se kanë iniciuar Projektligjin për Pastërtinë e Figurës së zyrtarëve të lartë në institucionet publike dhe të të zgjedhurve. Kemi formuar edhe një Komision Hetimor Parlamentar.

“Gjatë vitit të ardhshëm besojmë që funksionimi i punës në Kuvend do të vazhdoi me një intensitet më të lartë se vitin që po e lemë pas, duke pas parasysh projektligjet të cilat tashmë janë në proces për votim të dytë. Andaj mendojmë që është herët të parashikohet diçka konkrete lidhur me rrjedhjen e punëve të tjera në Kuvendin e Kosovës”, thuhet në përgjigje të NISMA-s.

Ndryshe, sipas KDI-së Kuvendi gjatë këtij viti ka mbajtur gjithsej 42 seanca, prej të cilave 23 ishin seanca plenare, 16 të jashtëzakonshme dhe 3 solemne.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme