Kuvendi jofunksional, s’ka kuorum për votimin e projektligjeve

Prishtinë | 07 Kor 2022 | 12:24 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës, janë shqyrtuar disa projektligje derisa nuk është votuar asnjëra prej tyre për shkak të mungesës së kuorumit, kjo pasi që deputetët e partive opozitare nuk kanë marrë pjesë në votim, raporton Ekonomia Online.

Mungesa e kuorumit në Kuvendin e Kosovës ka pamundësuar miratimin e katër pikave të rendit të ditës sot në seancën plenare.

Shqyrtimi i dytë i Projekt-kodit të Procedurës Penale, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Shërbimin Korrektues të Kosovës, shqyrtimi i dytë i Projektligjit për Shërbimin Sprovues të Kosovës, janë katër pikat që nuk janë miratuar.

Deputetët e tri partive opozitare, PDK, LDK dhe AAK nuk kanë marrë pjesë në votimin e amandamenteve të këtyre projektligjeve.

Ndonëse në sallën e Kuvendit ishin të pranishëm 70 deputetë, për amandamentet e Projekt-kodit të Procedurës Penale votuan 52 deputetë.

Për amandamentet e Projektligjit për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale kanë votuar 53 deputetë të Kuvendit.

Edhe amandamentet e Projektligjit për Shërbimin Korrektues të Kosovës nuk u miratuan për shkak që nuk u arrit numri i votave të nevojshme për miratim.

Ndërsa, për amandamentet e Projektligjit për Shërbimin Sprovues të Kosovës votuan 52 deputetë.

Të ngjashme