Kuvendi me seancë solemne për shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës

Prishtinë | 28 Shk 2022 | 13:42 | Nga Ekonomia Online

Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mblidhet të enjten, më 3 mars, në orën 10:00, në seancë të rregullt plenare, ndërkaq të shtunën, më 5 mars, në orën 12:00, në kuadër të aktiviteteve për shënimin e Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të mbajë seancë solemne.

Kështu vendosi sot Kryesia e Kuvendit, në mbledhjen e përbashkët me kryetarë të grupeve parlamentare, të drejtuar nga kryetari Glauk Konjufca.

Pas shterimit të pikave të zakonshme, deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, në seancën e të enjtes Kuvendi do të shqyrtojë në lexim të dytë Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar, si dhe vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës, nr.14/62 datë 23.02.2022, për vazhdimin e masave emergjente në furnizimin e energjisë.

Në këtë seancë, po ashtu pritet të formohet Komisioni Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidateve për një anëtar të Bordit për Ankesa të Mediave, si dhe ai për përzgjedhjen e kandidatëve për dy anëtarë të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës nga komunitetet joshqiptare.

Në mbledhjen e sotme, Kryesia shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e saj.

Të ngjashme