Kuvendi miratoi Ligjin për Veteranët e UÇK-së

Prishtinë | 30 Dhj 2016 | 23:19 | Nga

Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për Plotësimin e Ligjit për Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Kjo gjë nuk u arrit me votim të parë, pasi nuk pati kuorum.

Deputetët e Kuvendit të Kosovës gjatë seancës së jashtëzakonshme, sonte kanë miratuar Projektligjin për Veteranët e Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Kryeministri Isa Mustafa ka sqaruar se ndryshimi i këtij ligji ka qenë kërkesë e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN). Ai tha se nëse nuk miratohen sot këto ndryshime, Kosova rrezikon të humbasë miliona euro, si pjesë e marrëveshjes me FMN-në.

Projektligji i propozuar nga Qeveria e Kosovës i kategorizon pensionet për veteranët luftëtarë të UÇK-së me tri kategori.

Veterani luftëtar i mobilizuar në luftë nga fillimi i saj deri në fund do të marrë pension 250 euro; veterani luftëtar i mobilizuar në luftë nga data 5 mars 1998 deri në fund me pension 170 euro dhe veterani luftëtar i mobilizuar në luftë nga data 31 mars 1999 deri në fund me pension 120 euro.

Deputeti i LDK-së, Anton Quni, kërkoi që të miratohet dhe një amendament, ku parashihet njohja e aktivitetit të ish-Ministrisë së Mbrojtjes.

Deputeti Rrustem Berisha nga AAK-ja kërkoi të mos bëhet përçarje mes veteranëve. “Kjo formë si po e votoni e përçan faktorin ushtarak”, tha ai.

Një pjesë e deputetëve të LDK-së të pakënaqur që nuk u përfshi në ligj propozimi i Qunit, nuk morën pjesë farë ne votim, duke dështuar votimin e Projektligjit. Pas “mobilizimit” të shefave të grupeve parlamentare, në votim të dytë Projektligji kaloi.

Me këtë seancë, përfundoi sesioni vjeshtor i Kuvendit të Kosovës. Ai pranveror nis punimet në pjesën e dytë të janarit 2017.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme