Kuvendi miraton garancinë për autobusët e kryeqytetit

Prishtinë | 04 Gus 2016 | 14:00 | Nga

Kuvendi i Kosovës ka miratuar projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së garancisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bankës Evropiane për rindërtim dhe zhvillim për projektin e ndërmarrjes “Trafiku Urban”.

Me 84 vota pro dhe vetëm një abstenim, Kuvendi ratifikoi marrëveshjen që mundëson blerjen e 51 autobusëve.

Lidhur me këtë, kryetari i komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti përmes një postimi në facebook ka uruar për miratimin e këtij projektligji.

”Pas më shumë se një viti zhagitje, Kuvendi i Kosovës aprovoi garancionin për kredinë e autobusëve. Urime Prishtinë :),”, ka shkruar Ahmeti në profilin e tij.

Me 85 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi miratoi projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes financiare ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Bankës Evropiane për investime, për projektin e rehabilitimit të linjës Hekurudhore 10, që ngjalli debat mes deputetëve të VV dhe LDK-së.

Deputeti i VV-së, Glauk Konjufca tha se megjithëse nuk u pëlqen ky projektligj, ata janë të shtrënguar që ta votojnë, pasiqë ky është një kompromis që deputetët pastaj ta votojnë projektligjin për trafikun urban.

Ndërsa, Ismet Beqiri tha se këtu nuk është punë kushtëzimi, por duhet të votohet diçka që është në interes të vendit.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme