Kuvendi në pauzë deri në orën 14, deputetët thonë se klasa politike është përgjegjëse për ikjen e të rinjve

Prishtinë | 11 Pri 2019 | 12:48 | Nga Emine Shehu Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kuvendi i Kosovës ka ndërprerë seancën e jashtëzakonshme ku po diskutohej për ikjen e të rinjve, për të vazhduar debatin në orën 14:00, raporton Ekonomia Online.

Para se Kuvendi të shkonte në pauzë aty u debatua për ikjen e të rinjve.

Naser Rugova, përfaqësues i grupit parlamentar të LDK-së, tha se në këtë çështje të gjithë si klasë politike kanë përgjegjësi të njëjtë.

“Pa dashur të adresoj kritika sepse të gjithë si klasë politike kemi hise në këtë degradim moral, politik, institucional, kulturor, socio kulturor, akademik. Prandaj z kryetar i kuvendit fatkeqësisht këtu nuk është askush përveç ministrit të MMPH-së, që kanë përgjegjësi direkte. Duhet të unifikohemi dhe kësaj rinie tu tregojmë se deputetët duhet të jenë të hapur, transparentë që mos ta vrasin shpresën se kjo rini e ndritur donë vetëm ëndrra. Kemi më shumë universitet publike se sa shkolla profesionale. E kemi dëmtuar shumë klimën e investimeve pa të cilat ky vend nuk do mund të ecë tutje”, tha ai.

Përfaqësuesi i grupit parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, tha se duke pasë parasysh seancat e shpeshta të jashtëzakonshme kohët e fundit, kjo të mos jetë një që qëllim ka statuset në facebook.

“Kjo është seanca e 13-të e jashtëzakonshme për tre muaj që është mbajtur, nëse këtë ia themi dikujt i bie se ne jemi në gjendje të luftës apo konflikti. Unë besoj që nga këto 13 seanca disa kanë qenë të qëlluara, por nuk besoj që ky është precedent më i mirë. Fenomeni i ikjeve është shqetësues për shumicën prej nesh dhe nuk është fenomen i ri, apo i viteve të fundit. Kriza më e madhe ka qenë në fillim të vitit 2015 ku me dhjetëra mijëra kanë ikur nga vendi. Shpresoj që qëllimi nuk është me kriju lajm ditorë dhe statuset për facebook”, tha Krasniqi.

Arbër Rexhaj, në emër të grupit parlamentar të VV-së, tha se mungesa e kabinetit qeveritar është e papranueshme, ndërsa tha se VV është e vetmja e cila nuk ka ardhur ende në qeveri dhe që duhet t’i lihet kjo hapësirë.

“Vetëm ajo mbeti pa u provuar. Na e vodhët fitoren duke u bërë bashkë të zi me të zi, dhe asnjë qeveri nuk e ka pasur qëllim të bëj hapjen e vendeve të reja të punës. Është momenti i duhur ta bëjmë  kthesën historike dhe politike. Lejoni ata që vërtet e duan këtë vend. Është shqetësuese mos prania e kryeministrit në këtë seancë sepse situata rreth ikjes së të rinjve është situatë e jashtëzakonshme. Prandaj mungesa e kabinetit është e papranueshme”, u shpreh ai.

Ahmet Isufi nga AAK-ja tha se duhet të gjenden ide kreative se si ata që janë larguar të kthehen në Kosovë.

“Tani është mënyrë tjetër e shkuarjes që bëhet përmes kërkimit të vizës për një jetë më të mirë dhe për studim. E mira do të ishte që të krijojmë kushte në Kosovë që ata të kthehen në Kosovë dhe t’i shërbejnë vendit të vet, por duhet ide kreative se si mund t’i kthehen vendit të vet”, u shpreh ai, raporton EO.

Visar Ymeri nga PSD-ja tha se kjo çështje nuk mund të zgjidhet me asnjë rezolutë.

“Mendoj që tema që po e diskutojmë sot edhe në mënyrën se si u shpreh nga propozuesi, në këtë produktin final të këtij debati na jep hapësirë të diskutojmë e të qajmë për shkaqet që po i detyrojnë qytetarët ta lëshojnë vendin. Kjo çështje nuk zgjidhet me një rezolutë edhe nëse ajo është konkrete. Kur i shohim statistikat dhe trendët e ikjes së qytetarëve të Kosovës, e shohim që nga përcaktim individual, migrimi po bëhet vendim kolektiv. Mendoj që duhet të diskutohet jo vetëm numri i qytetarëve që po ikin nga vendi, por edhe sa po kthehen për ta ndihmuar vendin me dijen e tyre dhe me gjendjen ekonomike”, tha Ymeri.

Bilall Sherifi nga Nisma, tha se është normale që qytetarët të kërkojnë zgjidhje për veten kur Kosova nuk u jep hapësirën e kërkuar.

“Detyra e shtetit është që kjo ekonomi të mos ia zënë frymën që të rinjtë dhe të rejat të gjejnë hapësirë dhe të ushtrojnë profesionin e tyre”, tha ai.

Të ngjashme