Kuvendi po e shkel ligjin për RTK, procedurat për bord të ri të rinisë nga zero

Prishtinë | 08 Nën 2021 | 21:11 | Nga Ekonomia Online

Avokati Faton Fetahu, i ftuar në edicionin e lajmeve të RTK-së për të komentuar përzgjedhjen e bordit të ri të RTK-së, ka thënë se ky komisioni ad hoc i Kuvendit të Kosovës nuk është duke vepruar në pajtim me ligjin për televizionin publik.

“Përderisa nuk është i ndaluar një veprim i tillë (përzgjedhja e bordit) dhe në anën tjetër ekziston mungesa e një vendimi për miratimin e masës së përkohshme nga ana e Gjykatës Kushtetuese dhe në mungesë të tyre, krijohet mundësia ligjore për fillimin e procedurave të rekrutimit të bordit të ri të RTK-së”, ka thënë ai fillimisht.

Sipas tij, Gjykata Kushtetuese ka shpallur një njoftim zyrtar në uebfaqen e saj, ku ka njoftuar se ajo nuk mund të marrë vendim për sa i përket këkesës së deputetëve parashtrues që të pezullohet vendimi kontestues i Kuvendit i cili sot e katër muaj më parë e shkarkoi bordin e RTK-së. Kjo sipas Fetahut, ka të bëjë me mungesën e kourumit për faktin se Gjykata Kushtetuese tashmë është në mungesë të dy anëtarëve të saj.
“Jemi në një situatë ku nuk mund të presim që Gjykata Kushtetuese ta merr një masë të tillë të përkohshme, ndërsa shohim se RTK-ja, sipas ligjit e ka zhvilluar procedurën e rekrutimit të anëtarëve të rinj të bordit, por nga ana tjetër shohim se Kuvendi është vonuar në emërim të komisionit ad hoc”, ka shtuar ai.

“Tash jemi në një terren të panjohur ligjërisht, dhe komisioni ad hoc i Kuvendit të Kosovës nuk është duke vepruar në pajtim me ligjin për RTK-në. Për rrjedhojë, procedura e përzgjedhjes e anëtarëve të rinj të bordit do të shpallet jo kushtetuese. Procesi aktualisht ka dalë jashtë kornizave ligjore dhe si i tillë duhet të kthehet në pikën zero për t’ju rikthyer ligjëshmërisë nga e para”, ka përfunduar avokati Fetahu. /RTKLive/

Intervistën e avokatit e gjeni nga minuta e 16t’ë

Të ngjashme