Kuvendi s’gjen kompani për auditimin e financave të partive, të deklarohen të hyrat nga bizneset

Prishtinë | 06 Tet 2018 | 08:01 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Komisioni parlamentar për Mbikëqyrjen e Financave Publike ka vendosur të kërkoj hulumtimin e tregut që të qartësohet analiza e buxhetit për kompaninë e auditimit në mënyrë që të shtohet buxheti dhe të rritet interesimi i kompanive.

Kjo kërkesë vjen pas dështimit të Kuvendit për tri herë radhazi që të kontraktoj një kompani, derisa auditimi i partive politike nuk është bërë tash e 4 vite, raporton Ekonomia Online.

Isuf Zejna nga organizata Demokracia Plus (D+) ka thënë se vazhdon të mbetet problematike kontrolli dhe auditimi i financave të partive politike si dhe publikimi i këtyre raporteve.

Sipas tij, buxheti i vogël i ofruar bëhet qëllimisht për të dekurajuar kompanitë që të aplikojnë.

“Kuvendi ka shpall tender, por ka ndarë shumë pak buxhet dhe kjo është mënyra më e mirë me i dekurajuar kompanitë për me aplikuar. Edhe nëse aplikon dikush zakonisht është një kompani që nuk i plotëson kushtet ose i plotëson vetëm kushtet minimale për ta fituar kontratën, e si pasojë kemi raporte të dobëta të auditimit e që është në favor të partive politike”.

“Me ligjin aktual të gjitha kompetencat i ka KQZ mirëpo i cili e bënë një interpretim të gabuar të ligjit, për shkak se KQZ pretendon se nëse financat nuk janë auditu nuk duhet me u publiku e kjo është e gabueshme”.

“Financat e partive politike duhet të aplikohen në atë formë siç janë dorëzuar raportet nga zyrtarët e partive politike. Për këtë arsye është duke u ndryshuar edhe ligji për financat  e partive politike ku po parashihet edhe detyrimi i partive politike që në ueb faqe të tyre t’i bëjnë publike raportet financiare”, tha Zejna.

Ai thotë se ende më problematike mbeten donacionet informale që marrin partitë nga personat dhe kompanitë private.

“Partitë politike i marrin mbi 4 milionë euro për çdo vit për financim të rregullt të aktiviteteve të tyre, njëkohësisht edhe për fushata zgjedhore. Ajo pjesë e ligjit që mbetet problematike është kontrolli dhe auditimi i financave të partive politike si dhe publikimi i raporteve financiare dhe raporteve të autidimit”.

“Unë mendoj që një prej problemeve që nuk trajtohet shumë në nivel institucional është donacionet informale të partive politike që i marrin nga personat privat dhe kompanitë private”.

“Kjo konsiderojmë që është  një prej problemeve më themelore në financat e partive politike e që shumë pak deri më tash është bërë në  hetimin e këtyre rasteve për të mësuar se kush janë këta donator joformal dhe si ndikon kjo më tutje në menaxhimin e financave publike përkatësisht atyre të prokurimit publik”.

“Kjo për shkak se ka dyshime se këta donatorë më tutje shpërblehen me kontrata në prokurim publik dhe kjo e çrregullon edhe konkurrencën edhe sundimin e ligjit në vend”.

Sipas tij, financimi i partive nga bizneset dhe personat privat është i ligjshëm mirëpo ka kufizime, derisa shtoi që Lëvizja Vetëvendosje është një nga partitë e vetme që deklaron donatorët e saj.

“Në parim financimi prej bizneseve dhe personave privat është i ligjshëm, me disa kufizime. Pra, ka kufizime se deri në çfarë mase mund të ofrojnë donacione personat privat dhe partitë politike. Është 2000 euro për persona privat dhe 10.000 euro për kompani brenda një viti kalendarik dhe kjo është krejt e ligjshme”.

“Partitë politike shumë pak i deklarojnë donatorët e tyre, përjashtimisht Lëvizja Vetëvendosje  ka një qasje tjetër, i deklaron një numër të madh të donatorëve si dhe rregullisht bënë publike raportet vjetore financiare. Sa janë të besueshme këto raporte është diçka tjetër”, tha ai.

 

Të ngjashme