Kuvendi shënoi Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë (Foto)

Prishtinë | 15 Sht 2017 | 18:58 | Nga

Kuvendi i Republikës së Kosovës ka shënuar sot Ditën Ndërkombëtare të Demokracisë, duke i hapur dyert për vizitorë. Me këtë rast, qindra qytetarë, studentë dhe nxënës, përfshirë grupet e organizuara nga ana e Kuvendit, nga qendra të ndryshme të Kosovës, vizituan ndërtesën e legjislativit të vendit, duke u njohur kështu me punën e përfaqësuesve të tyre të zgjedhur.

Në ceremoninë hapëse, Sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, duke iu shprehur mirëseardhje të gjithë të pranishmëve, tha se motoja globale e këtij viti është Demokracia dhe parandalimi i konfliktit, ndërsa po në këtë temë, është organizuar forumi, në bashkëpunim edhe me partnerët tjerë.

“Përveç kësaj, Kuvendi ka organizuar aktivitete të shumta, të cilat do të përcjellin mesazhe të plota se sa është i rëndësishëm institucioni ynë, për të forcuar institucionet demokratike dhe për të promovuar paqe dhe stabilitet”, tha Krasniqi.

Ai shtoi se Kuvendi shënon numër rekord të vizitave që i bëhen ambientit të tij, ku përveç grupeve individuale, Kuvendin e vizitojnë çdo ditë edhe nga dy grupe të fëmijëve. Mesatarja, sipas Krasniqit është 60 vizita sosh në ditë.

Deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Zenun Pajaziti, duke e shpallur të hapur këtë ditë në Kuvendin e Kosovës, tha se Kuvendi nuk do të jetë i hapur për qytetarët e saj vetëm gjatë ditës së sotme, por gjatë gjithë kohës, në mënyrë që të njihen me punën dhe angazhimet e deputetëve.

“Jam këtu në cilësinë e deputetit të Kuvendit që t’iu përshëndes dhe dëshiroj mirëseardhje edhe në emër të Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli. Duke falënderuar deputetët nga të gjitha grupet parlamentare, stafin e Kuvendit dhe organizatat ndërkombëtare, kemi arritur që ta hapim Kuvendin për qytetarë dhe të krijojmë një Forum brenda Kuvendit që punën e Kuvendit ta bëjmë sa më transparente”, tha Pajaziti.

Më tej, pas hapjes së Panairit të Organizatave të Shoqërisë Civile, në Kuvend u mbajt edhe Forumi mbi temën globale “Demokracia dhe parandalimi i konfliktit”, moderuar nga Shqipe Krasniqi, zyrtare e lartë për koordinim dhe planifikim strategjik në Kuvendin e Kosovës.

Gjatë kësaj tryeze, panelistët adresuan mesazhet e tyre për forcim të institucioneve demokratike, transparencë, për të drejtat e njeriut, si dhe për bashkëpunim institucional për të përmbushur detyrimet e përbashkëta në rrugën drejt integrimit evropian.

Gjatë diskutimit të tij, deputeti Zenun Pajaziti, tha se deputetët e Kuvendit kanë bërë përpjekje që në vazhdimësi të jenë në hap me agjendën zhvillimore, duke përfshirë edhe ato të rëndësisë globale, duke përmendur me këtë rast agjendën e Kombeve të Bashkuara mbi Objektivat Zhvillimore të Mijëvjeçarit.

“Shpresoj se Kuvendi, si institucioni më i lartë legjislativ në demokracinë tonë parlamentare, do të ketë një rol shumë të rëndësishëm për të luajtur në procesin e koordinimit të politikave vendore drejt zbatimit të agjendës së re 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm”, tha Pajaziti, duke shtuar se 17 objektivat për Zhvillim të Qëndrueshëm kanë dalë si rezultat i një konsultimi rigoroz të udhëhequr nga Kombet e Bashkuara, në të cilin për herë të parë është e përfshirë edhe Kosova. Sipas tij, Plani Strategjik i Kuvendit të Kosovës (2016-2020), i mbështetur nga UNDP-ja, ka themeluar një kornizë të rëndësishme për zhvillim të mëtejmë të Kuvendit.

Duke përmendur anëtarësimin e deputetëve të Kuvendit në Organizatën Botërore të parlamentarëve kundër korrupsionit GOPAC, Pajaziti tha se hapat afatshkurtër të cilat do t’i ndërmarrin pas konstituimit të legjislaturës së re janë: miratimi i rezolutës mbi OZHQ-të, themelimi i një strukture të organizuar në Kuvend me deputetë nga të gjitha partitë, që do të shërbejë si qendër bazë në Kuvend, ndërkaq sqaroi se planifikohet që me mbështetje të partnerëve ndërkombëtarë të hartohet edhe Plani Kombëtar për OZHQ-të, i cili do të derivojë nga një konsultim i hapur në Kuvend.

Në vijim foli edhe deputetja Shqipe Pantina, e cila tha se sistemi i demokracisë, kur zbatohet pa deformime, e parandalon eskalimin apo abuzimin me konflikt. “Demokracia çfarë kemi ne sot, është bazë për të prodhuar më shumë konflikt apo e parandalon atë?! Nëse shohim dokumentet themelore të shtetit të Kosovës, brenda tyre gjen hapësirë që lejojnë për devijim apo deformim të demokracisë, ngase jo çdo herë vullneti i shumicës zbatohet”, tha Pantina duke folur më tej edhe për rolin e shoqërisë civile dhe mediave në forcimin e demokracisë

Edhe deputetja Teuta Haxhiu, anëtare e Forumit për Transparencë Parlamentare, tha se është shumë evidente që transparenca dhe llogaridhënia mungojnë në vend, duke shtuar se duhet të rritet përgjegjësia dhe llogaridhënia e të gjithë atyre që nuk i zbatojnë ligjet. Sfidë për Kuvendin, sipas Haxhiut, mbetet moszbatimi i ligjeve.

Kësaj tryeze me diskutimet e tyre i kontribuuan edhe Andrew Russel, Koordinator për Zhvillim i KB/ përfaqësues i përhershëm i UNDP-së, Christopher Tuetsch, drejtor i Departamentit për Demokratizim, OSBE, Alexander Chavarria, drejtor i NDI-së në Kosovë, Nita Luci, nga Universiteti i Prishtinës, si dhe Jeta Krasniqi, nga KDI-ja.
Nën organizimin e KDI-së, u mbajt edhe një panel diskutimi, në të cilën morën pjesë deputetët e Kuvendit, Blerta Deliu-Kodra dhe Dardan Sejdiu, si dhe ambasadori britanik, Ruari O’Connell.

Për nder të kësaj dite, Kuvendi organizoi edhe aktiviteteve të ndryshme që e afirmojnë ndërtimin e demokracisë.

Në oborrin e Kuvendit u mbajt panairi i organizatave të shoqërisë civilë, të cilat para vizitorëve ekspozuan publikimet e tyre, ndërsa projekti i Kuvendit DEMOS-ti, nëpërmjet organizatës Toka, organizoi një varg aktivitetesh kreative me nxënësit që vizituan Kuvendin.

Një aktivitet i veçantë, ndërkaq, ishte gara në pikturë midis nxënësve filloristë, të cilët për disa orë rresht pikturuan në ambientet e Kuvendit.

Në fund të aktivitetit, Kuvendi ndau shpërblime për të gjithë garuesit, ndërsa tri vendet e para u takuan nxënësve: Diella Valla, Enea Lajqi dhe Eda Zajmi.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme