Kuvendi s’miraton rekomandimet e PSD-së për projektin e Termocentralit “Kosova e Re”

Prishtinë | 04 Qer 2018 | 11:07 | Nga Donika Osmani Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kuvendi i Kosovës vendosi që seanca e sotme të vazhdojë me shqyrtimin e pikave të mbetura në gjysmë nga seancat paraprake.

Në rend dite ishte shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Hungarisë mbi transferimin e personave të dënuar.

Për shkak se votuan vetëm 61 deputetë: 56 për dhe 5 abstenuan, ligji nuk u miratua, raporton Ekonomia Online.

Kuvendi nuk miratoi as rezolutën në lidhje me Raportin e Progresit për Republikën e Kosovës.

Votuan 79 deputetë, prej të cilëve 36 votuan për, 41 ishin kundër dhe pati 2 abstenime.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Sami Kurteshi, kërkoi që edhe një herë të shtyhet kjo pikë, pasi që ende nuk janë harmonizuar rekomandimet.

Votimi i propozim-rezolutës nga debati parlamentar për Raportin e Progresit do të votohet edhe një herë pas 1 ore, kur grupi punues të harmonizojë rekomandimet.

Për rekomandimet nga Interpelanca e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, sipas kërkesës së GP të PSD-së, në lidhje me nënshkrimin e marrëveshjes komerciale ndërmjet kompanisë “Contour Global” dhe Qeverisë së Kosovës për projektin e Termocentralit “Kosova e Re” të nënshkruar më 20 dhjetor 2017, votuan 90 deputetë. 37 prej tyre votuan për, 50 ishin kundër, dhe pati 3 abstenime.

Pra, Kuvendi nuk miratoi rekomandimet nga PSD-ja.

Kuvendi nuk miratoi as Ligjin për Ratifikimin e Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Hungarisë për Ekstradim., sepse nuk pati kuorum. Për këtë ligj votuan vetëm 66 deputetë. 64 prej tyre votuan për, dhe pati dy abstenime, raporton EO.

Të ngjashme