Kuvendi sot do të shqyrtojë për herë të parë shtatë projektligje

Prishtinë | 30 Nën 2016 | 09:32 | Nga

Kuvendi i Republikës së Kosovës do të mbaj sot seancën e rregullt plenare ku pas pikave të rregullta, kohës për deklarime jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare do të shqyrtojë për herë të parë shtatë projektligje.

Në seancën e sotme do të shqyrtohet Projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes financiare për IPA 2015 ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit të Procedurës penale, Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për procedurën përmbarimore, Projektligjin për kontrollin e brendshëm të financave publike, Projektligjin për Inspektoratin Shëndetësor,

Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për lirinë fetare në Kosovë, si dhe Projektligjin për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme në Kosovë. Nëse kalon procedurat e parapara parlamentare, ndërkaq, në këtë seancë do të shqyrtohet edhe Projektligji për Obiliqin.

Kuvendi do të vazhdojë punën me shqyrtimin e dytë të dy projektligjeve: Projektligjit për performancën energjetike në ndërtesa dhe Projektligjit për akreditim. Më pas, deputetët do ta shqyrtojnë raportin vjetor të Auditimit të Zyrës Kombëtare të Auditimit, si dhe raportin vjetor financiar të Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm, për vitin 2015.

Po ashtu, do të shqyrtohet edhe Rekomandimi i Komisionit për Buxhet dhe Financa lidhur me kërkesën e Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për miratimin e taksave vjetore për vitin 2017, si dhe dy propozim-vendime: propozim-vendimi i Komisionit për Buxhet dhe Financa për caktimin e pagës së kryesuesit dhe anëtarëve të Bordit të Drejtorëve, të kryesuesit dhe anëtarëve të Komisionit të Auditimit, të Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut-KOSTT sh.a., si dhe për caktimin e kompensimeve për kryetarin, nënkryetarët dhe anëtarët e Këshillit për Trashëgimi Kulturore.

Në fund, pritet shqyrtimi i rekomandimit të Komisionit ad-hoc për zgjedhjen e dy anëtarëve të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme