Labi konfirmon takimin me Haradinajn, tregon çka biseduan

Prishtinë | 14 Kor 2017 | 22:36 | Nga

Nënkryetari i AKR-së dhe deputet i zgjedhur, Labinot Tahiri, sonte është takuar me kandidatin për kryeministër nga PAN, Ramush Haradinaj. ​Këtë informacion e ka konfirmuar edhe vetë Tahiri, por sipas tij takimi ka qenë thjesht miqësor në shënimin e Ditës Kombëtare të Francës.

Ai deklaroi se është takuar edhe me Ardian Gjinin, Shpend Ahmetin dhe politikanë të tjerë.

“Po, gjatë kësaj kohe unë jam takuar me Ramush Haradinajn, Ardian Gjinin e Shpend Ahmetin, pasi kemi qenë të ftuar nga ambasada e Francës dhe kemi qenë të gjithë aty”, ka thënë Tahiri.

I pyetur për temat që janë diskutuar në këtë takim, ai ka thënë se miqësisht nuk kanë mundur t’i shmangen as tematikave aktuale, siç është krijimi i institucioneve.
“Po kemi folur miqësisht se a po bëhet Qeveria, dhe si do të formohen institucionet pra tema aktuale”, shtoi ai.

Nënkryetari i AKR-së edhe kësaj radhe nuk e mohoi dëshirën e tij që Haradinaj të bëhet kryeminsitër, por që përsëri nguli këmbë se ai do të zbatojë vendimet të cilat i merr kryesia e partisë.

“Unë dorën në zemër e pëlqej Ramush Haradinajn, dhe dua që ai të jetë kryeministër, por unë do të zbatoj vendimet të cilat i merr partia”, tha Tahiri.
Ai ka kërkuar nga të gjitha partitë që të gjejnë në zgjidhje për krijimin e institucioneve, dhe të mos ndodhë që të shkohet në zgjedhje.

Labinot Tahiri gjithashtu theksoi se do t’i qëndrojë prapa Behgjet Pacollit, pasi ishte pikërisht ai që ia hapi rrugët e politikës.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme