Lajçak në Kosovë për të përçuar mesazh për dialogun – shoqëria civile: Takimi Kurti-Vuçiq pas zgjedhjeve

Prishtinë | 15 Sht 2021 | 14:49 | Nga Aulona Sylaj Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Vizita e përfaqësuesit të posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, po konsiderohet se po bëhet pikërisht për rrjedhën e procesit dialogues mes këtyre dy palëve, raporton Ekonomia Online.

Violeta Haxholli, hulumtuese në Institutin Demokratik, (KDI) ka thënë në një prononcim për Ekonomia Online se Lajçak po vjen në Kosovë për të përçuar mesazhet e tij lidhur me dialogun e Brukselit mes palës serbe e kosovare.

Sipas Haxhollit për shkak se vendi ynë po kalon edhe në një proces tjetër si ai zgjedhor lokal, një takim Kurti-Vuçiq nuk ka gjasa të ndodhë aktualisht.

Haxholli konsideron se tryeza e Brukselit mund t’i bëjë bashkë krerët e dy shteteve vetëm pasi të përfundojnë zgjedhjet në Kosovë.

“Qëllimi padyshim që është çështja e dialogut Kosovë-Serbi pra Lajçak bën vizita të herë pas hershme që kur ka marr mandatin e tij si ndërmjetës i procesit të dialogut ai ka ardhur disa herë në Kosovë edhe në Serbi. Pas vizitës këtu është paralajmërua edhe një vizitë në shtetin serb, me qëllim kryesor që të diskutohet për dialogun Kosovë-Serbi dhe ai të përçoj mesazhet e tij lidhur me këtë proces”.

“Nga ana e Qeverisë së Kosovës është thënë se nuk pritet të ketë një takim të nivelit të lartë politik mes kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq dhe nuk dihet nëse Lajçak do të kërkojë nga ana e përfaqësuesve kosovar që të ketë një takim të tillë, pra nuk ka informacione, por duke e ditë që Kosova do të kalojë në proces zgjedhor nuk pritet që të ketë një takim të nivelit politik së shpejti. Se kur do të mbahet atëherë mund të pritet pasi që Kosova të përfundojë procesin e zgjedhjeve lokale, ndoshta atëherë do të fillojnë përgatitjet për një takim të radhës”, është shprehur ai.

Në anën tjetër Haxholli ka thënë se çështja e reciprocitetit mes Kosovës dhe Serbisë nuk duhet të marrë ngjyrime politike.

“Sa i përket reciprocitetit është paralajmëruar nga ana e Qeverisë së Kosovës por megjithatë ende nuk ka ndonjë vendim për këtë, siç ka pasur më herët nga Qeveritë e kaluara. Është paralajmëruar edhe reciprocitet për targat e veturave që bie në kuadër të marrëveshjes së lëvizjes së lirë. Në këtë drejtim mendoj që nuk do të duhej të kishte një vendim ekzekutiv për këtë pjesë, në mënyrë që edhe mos t’i jepet konotacion politik kësaj çështje dhe të bëhet shumë zhurmë, por mendoj që kjo do të duhej të ishte një procedurë e rregullt që e kryejnë autoritet kufitare, policore dhe doganore, pra ku thjeshtë zbatohet legjislacioni i Kosovës në kufi apo zbatohen marrëveshjet e Brukselit në këtë rast reciprociteti mbi targat e veturave”, ka përfunduar ajo për EO.

Lexo më shumë:

Të ngjashme