Lajçak, në rajon për vendosjen e kursit të dialogut

Prishtinë | 15 Qer 2020 | 07:11 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi dhe Ballkanin Perëndimor, Miroslav Lajçak, këtë javë do ta vizitojë rajonin në funksion të përgatitjes së terrenit për negociatat e ardhshme. Edhe pse zyrtarisht as Brukseli e as Qeveria e Kosovës nuk e kanë zbardhur datën dhe agjendën e takimeve, “Koha” merr vesh se diplomati sllovak do të qëndrojë në Prishtinë të martën, ku do të zhvillojë takime me liderët institucionalë.

Kjo është vizita e parë e Lajçakut që prej emërimit të tij si emisar i BE-së për dialogun, ndërkohë që në Kosovë u ndërruan dy qeveri.

Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë se për shkak të mungesës së qartësisë rreth këtij procesi brenda Kosovës, por edhe rolit të padefinuar ndërmjetësues mes SHBA-së dhe BE-së, e bënë vështirë të parashikueshëm rrjedhën e tij.

“Ende është e paqartë se çfarë dinamike do të ketë procesi i ndërmjetësuar nga ana e BE-së, duke konsideruar që brenda spektrit politik kosovar ka një qëndrim të ndarë rreth pritshmërive nga ndërmjetësimi i BE-së. Nga ana tjetër, kemi një proces tjetër të ndërmjetësuar nga SHBA-ja, prandaj është më se e nevojshme që të ketë qartësim të rolit të BE-së dhe SHBA-së siç duhet, të ketë qartësim të pozicionit kosovar dhe pritshmërive nga procesi i dialogut në përgjithësi”, ka thënë Krasniqi.

Ndërkaq, Donika Emini nga “Civikos”, aktivizimin e Lajçakut e sheh si përpjekje të Bashkimit Evropian për ta rimarrë primatin në dialog, kohën kur është kërkuar që udhëheqja e këtij procesi t’u besohet Shteteve të Bashkuara.

“Kjo vizitë është një tentativë e Bashkimit Evropian për t’u bërë palë e një procesi të cilin ata e kanë pasur në pronësi, por e kanë lëshuar nga dora. Këto vizita të Joseph Borrellit më herët dhe të Lajçakut tani, janë tentativë po t’ia përcaktuar kursin procesit të ardhshëm të dialogut Kosovë-Serbi. Tani kemi edhe një përfshirje të ShBA-së, në përpjekje për t’i çuar palët drejt një marrëveshjeje, por sigurisht se është gjë pozitive përfshirja e Bashkimit Evropian”, ka theksuar Emini.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme