Lajçak nuk përmend Kosovën në postimin e tij për Besnik Bislimin, qytetarët e “e gozhdojnë” me komente

Prishtinë | 16 Pri 2021 | 09:44 | Nga Ekonomia Online

Përfaqësuesi i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka vazhduar të sjellë reagime me postimet e tij në Twitter.

Diplomati sllovak, shtet ky i cili nuk e njeh Kosovën, në një postim të bërë në Twitter gjatë ditës së djeshme, nuk ka përmendur Kosovën derisa ka treguar se kishte një bashkëbisedim me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, duke mos cekur se Bislimi është zëvendëskryeministër i Republikës së Kosovës.

Ky postim i tij ka ngjallur reagime të shumta të qytetarëve dhe përfaqësuesve nga shoqëria civile dhe ish-diplomatë të Kosovës.

Ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku ka ironizuar me postimin e Lajçak, duke thënë se “A duhet njerëzit ta kërkojnë në Google emrin e zv.kryeministrit Bislimi për të kuptuar se kush është ai?”.

Në anën tjetër, Donika Emini nga shoqëria civile ka reaguar duke thënë se Lajçak duhet të ndaloj së postuari për një kohë, shkruan Telegrafi.

“Duke provuar të jetë neutral me postimin e tij, Lajçak në vazhdimësi bënë gabime. Kjo nuk do t’i ndihmojë atij në dialog…”, ka shkruar Emini, duke i kujtuar Lajçakut se Besnik Bislimi është zëvendëskryeministër i Kosovës.

Ndryshe reagime kishte edhe nga shumë qytetarë të cilët thanë se Lajçak vazhdon të jetë jo neutral sa i përket dialogut Kosovë-Serbi.

“Besnik Bislimi është zëvendëskryeministër i Republikës së Kosovës. Ju keni përmendur pozitën e tij, por jo edhe shtetin që ai e përfaqëson”, ka shkruar qytetari Redon Halimaj në Twitter.

Kurse, një qytetar tjetër Andi Haxhiu ka ripostuar në porfilin e tij postimin e bërë nga Lajçak, duke i treguar se si në të vërtetë ka qenë dashur të bëhej postimi.

“Më lejoni ta rishkruaj këtë për ju zotëri Lajçak. Video-konferenca e parë me Besnik Bislimin, zëvendës Kryeministër për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog në Kosovë e zhvilluar gjatë ditës së sotme ishte shumë e dobishme. U pajtuam që bisedat të vazhdojnë”, shkruan Haxhiu.

Ndryshe kjo nuk është hera e parë që përfaqësuesi i BE-së, Miroslav Lajçak bëhet temë diskutimi me deklaratat e tij në raport me Kosovën.

Së fundmi ai kishte dhënë një intervistë ku në prapavijë kishte hartën në të cilën Kosova paraqitej si pjesë e Serbisë. Kjo kishte ngjallur reagime të shumta edhe nga liderët politik e institucional të Kosovës. /Telegrafi/

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme