Lajçak: S’më takon mua të vendos se kush e përfaqëson Kosovën në dialog

Prishtinë | 15 Pri 2020 | 21:30 | Nga Ekonomia Online

I Dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak për Rubikon ka folur për mospajtimet e presidentit Hashim Thaçi dhe kryeministrit në detyrë Albin Kurtit lidhur me përfaqësimin e Kosovës në dialog.

Lajçak ka deklaruar se ai nuk vendos se kush do ta përfaqësojë Kosovën në dialogun me Serbinë, por ka shtuar se do të bashkëpunojë me këdo që është pjesë e ekipit negociator.

“Siç thashë, unë jam në kontakt të përditshëm me partnerët e mi dhe ne jemi ende nën kufizime për shkak të pandemisë, kështu që nuk mendoj se kjo po e ngadalëson situatën. Por, me lejoni të jem shumë i qartë, nuk më takon mua të vendos se kush do ta përfaqësojë Kosovën”.

“Unë jam i gatshëm të bashkëpunoj me të gjithë përfaqësuesit kosovarë, kështu që kushdo që të jetë në ekipin negociator, do të jetë partneri im. Kjo është shumë e qartë dhe ne do të fillojmë të punojmë me partnerët tanë”.

Por, a ka Miroslav Lajçak një afat se kur mund të arrihet marrëveshja e mundshme përfundimtare mes Kosovës dhe Serbisë?

“Unë kam mjaftueshëm përvojë që të mos vendos afate. Është e rëndësishme që të mos humbim kohë, të fillojmë të punojmë sapo të krijohen rrethanat dhe pa vonesa. Unë nuk dua ta zvarris këtë, por nuk do të na ndihmojë asgjë e dhëna nëse tani vendosim ndonjë datë artificiale. Nuk ka ndihmuar kurrë”.

Të ngjashme