Lajçak viziton Kosovën dhe rajonin, shkak çështja e rifillimit të dialogut

Prishtinë | 08 Qer 2020 | 13:10 | Nga Ekonomia Online

Rifillimi i dialogut Kosovë-Serbi sa më shpejtë që të jetë e mundur, është shkas i vizitës të cilën planifikon ta bëjë në rajon gjatë ditëve të ardhshme, Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun, Miroslav Lajçak.

Lajçak gjatë kësaj vizite pritet të qëndrojë në Kosovë dhe Serbi.

Kështu ka bërë të ditur në një përgjigje për Telegrafin, zëdhënësi për Punë të Jashtme dhe Siguri i Bashkimit Evropian, Peter Stano.

Ai ka theksuar se BE-ja është e gatshme të rifillojë dialogun drejt një normalizimi gjithëpërfshirës të marrëdhënieve mes të dyja vendeve, pa vonesë.

“BE është e gatshme të rifillojë dialogun drejt një normalizimi gjithëpërfshirës të marrëdhënieve, pa vonesë. Për të përgatitur bazat dhe për të diskutuar mbi modalitetet me palët, Përfaqësuesi Special Lajçak planifikon të udhëtojë në rajon në ditët e ardhshme”, ka thënë Stano.

Zëdhënësi i BE-së ka shtuar se koha dhe qëllimi i saktë për rifillim të dialogut ju takon palëve që të vendosin.

Dialogu Kosovë-Serbi, i cili ka nisur qysh në vitin 2011 me ndërmjetësimin e BE-së, është ndërprerë në fund të vitit 2018, për shkak të taksës ndaj që kishte vendosur Qeveria Haradinaj prodhimeve të importuara nga Serbia.

Mirëpo, së fundmi Qeveria e re e Kosovës e udhëhequr nga Avdullah Hoti të shtunën mori vendim edhe për heqjen e masës së reciprocitetit e cila ishte vendosur nga isj-kryeministri Albin Kurti, duke i hapur kështu rrugë rifillimit të dialogut.

Kujtojmë se përfaqësues të posaçëm në dialog tani ka edhe SHBA-ja, diplomatin Richard Grenell.

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vazhdimisht kanë bërë thirrje për rifillim të dialogut dhe përfundimit të këtij procesi për normalizim të marrëdhënieve mes të dyja shteteve.

Të ngjashme