“Lajmi për thirrjen e Veselit në Hagë, luftë speciale”

Prishtinë | 03 Maj 2019 | 21:11 | Nga Ekonomia Online

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, e ka quajtur të turpshëm lajmin se Kadri Veseli është ftuar për t’u intervistuar nga Gjykata Speciale.

Krasniqi përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se dëshira e dikujt në Kosovë për thirrje nga Gjykata Speciale për Kadri Veselin duket se është më e flakët se e zyrtarëve të Serbisë.

“Turp, për bese. Përtej turpit! Por, edhe pse ajo dite mund te vije shpejt, mos keni dert se s’njolloset lufta e UÇK-se as prej asaj Gjykate, as prej dëshirave tuaja e as prej luftës speciale qe e keni nisur tash e sa kohe”, ka shkruar Krasniqi

“Duket se dëshira e flakte e disave ne Kosove për t’i pare udhëheqësit e luftës çlirimtare ne bankën e te akuzuarve te Gjykatës Speciale është aq e madhe sa qe ka mundësi qe as zyrtaret e Serbisë s’mund te ju konkurrojnë atyre ne këtë dëshirë”, ka shkruar Krasniqi.

Sot gjatë ditës është raportuar se Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka udhëtuar për në Hagë me ftesë të Gjykatës Speciale mirëpo këtë e ka demantuar vetë Veseli duke thënë se nuk ka një ftesë të tillë.

Veseli ka shkruar se nuk është marre e as kiamet edhe nëse ftohet nga Gjykata Speciale.

“Nuk është marre, as kiamet. Më vjen keq në qoftëse dikush është shqetësuar për këtë lajm, por më vjen keq edhe për ata që i janë gëzuar këtij lajmi. E kam thënë edhe më parë se askush nuk më frikëson. Vetëm kombi im mund të më gjunjëzojë apo përkrahë”, ka shkruar Veseli.

Tutje Veseli ka thënë se “Nuk kam ftesë dhe nuk jam duke shkuar në Hagë, as për vizitë dhe as për Gjykatën Speciale. Nuk është e vërtetë që kam ftesë për ndonjë intervistë. Po të kisha do ta bëja njoftimin publik”.

Po ashtu edhe këshilltari i Veselit Blerim Latifi, ka thënë se lajmi për ftesën e shefit të tij drejt Hagës për tu intervistuar nga Gjykata Speciale është një rrenë speciale.

Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Latifi ka shkruar se ky lajm është marre, raporton Gazeta Insajderi.

“Udhëtimi i Kadri Veselit ne Hagë : Një rrenë speciale, për gjykatën speciale, për llogari të luftës speciale! MARRE”, ka shkruar Latifi. /

Të ngjashme