Latifi: Shteti i Kosovës është tepër i rëndësishëm për ta lënë në dorën e VV-së

Prishtinë | 28 Kor 2017 | 13:19 | Nga

Profesori i filozofisë politike, Blerim Latifi ka hedhur akuza të forta në adresë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Latifi, i cili është edhe Këshilltar i Kadri Veselit, i pyetur rreth përplasjeve të përditshme në skenën politike rreth formimit të institucioneve, u shpreh se “iluzionistët, ata që ende e lexojnë gabimisht rezultatin e 11 qershorit me 3 gusht do ta kuptojnë se kush do t’i udhëheqë institucionet e reja të vendit”.

“Ata që futën dhunën në jetën politike në Kosovë, ata që shkelën parimin elementar të demokracisë se mjetet e paligjshme nuk mund të përdoren për qëllime politike, ata që hodhën si leckë të pavlerë qëndrimin e zyrtarëve më të lartë amerikanë, e që bllokuan shtetin për dy vite vetëm për llogari të ardhjes në pushtet, gjithçka mund të bëjnë, por vetëm të mira nuk mund ti sjellin këtij vendi. Shteti i Kosovës është tepër i rëndësishëm për ta lënë në duart e tyre. Ky është leksioni i qartë që do ta marrin me 3 gusht”.

I pyetur rreth rikandidimit të kryetarit të PDK-së, Kadri Veselit për postin e Kryeparlamentarit, Blerim Latifi theksoi se “kjo është gjëja më e natyrshme jo vetëm për PDK-në, por edhe për krejt kontekstin e situatës politike”, për të shtuar se “publiku duhet ta dijë se skenarët e shërbimeve ruse të përgjakjes së parlamenteve që u provuan në Mal të Zi dhe Maqedoni, kanë qenë të dizajnuar më parë për Kuvendin e Kosovës, por falë menaxhimit dhe tolerancës ekstreme të Veseli Kosova arriti t’i shmanget kësaj katastrofe. Kushdo tjetër në pozitën e tij do të dështonte”.

Sipas tij, edhe partnerët perëndimorë kanë qëllime të qarta rreth njerëzve që duhet t’i udhëheqin institucionet e reja të vendit.

“Konsideroj se është përpjekje e sinqertë e miqve tanë për t’i ndihmuar vendit duke bërë përpjekje për t’i larguar ata nga kurthi i planeve serbo-ruse për kalljen e Kosovës. Shikoni me sa krenari drejtuesit e Vetëvendosjes bredhin nëpër forumet e majta ndërkombëtare, në internacionalen socialiste, apo qendra tjera të radikalizmit majtist. Është e ditur se këto forume dendur popullohen nga pjesëtarë të shërbimeve sekrete ruse. Ky është njëri nga kanalet përmes të cilit planet ruse për të nisur sherre në Ballkan depërtojnë në Kosovë”.

Në lidhje me zhvillimet në PDK, Latifi u shpreh kjo parti vazhdon të qëndrojë e fuqishme në komplet strukturën e saj në të gjithë vendin.

“Po punohet në shumë të gjitha drejtimet, së pari për fitoren në zgjedhjet lokale, është intensifikuar debati i brendshëm për strategjitë që duhet ndjekur dhe vlerësimin e përformancës të secilit, për dëmin dhe dobinë e secilit. PDK është parti e Kosovës dhe në shërbim vetëm të Kosovës, kushdo që mendon të kundërtën nuk ka të ardhme aty. Kjo është mëse e sigurt”.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme