Lavrov shkon në Beograd me mesazhin se s`ka zgjidhje për Kosovën pa Serbinë

Prishtinë | 09 Qer 2020 | 10:01 | Nga Ekonomia Online

Kryediplomati rus Sergei Lavrov viziton Beogradin më 18 qershor dhe kjo do të jetë vizita e parë e tij në një vend pas pandemisë së koronavirusit.

Pas vizitës së tij në Beograd, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq do të vizitojë Moskën me rastin e Paradës së Fitores më 24 qershor.

Gazeta serbe “Novosti” shkruan se Lavrov po shkon në Beograd për të përcjellë pozicionin e qartë të Federatës Ruse mbi Kosovën.

Shefi i diplomacisë ruse do të takohet me homologun e tij serb Ivica Daçiq dhe takimi kryesor do të jetë me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Bashkëpunimi midis dyja vendeve në të gjitha fushat dhe çështjet aktuale në Ballkan, kryesisht Kosova, janë tema që do të jenë në tryezë.

Në momentin kur Evropa dhe Amerika po njoftojnë “finalen e madhe” në negociatat midis Beogradit dhe Prishtinës, qëndrimi rus për çështjen e Kosovës u shpjegua së fundmi nga përfaqësuesi i tyre diplomatik në Serbi, Aleksandar Bocan-Kharchenko.

Ai deklaroi se Rusia do të pajtohet vetëm me zgjidhjen që do të jetë e pranueshme për Serbinë dhe se Moska është e përkushtuar të arrijë një zgjidhje kompromisi që duhet të përputhet me ligjin ndërkombëtar dhe të arrihet në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Gjithashtu, qëndrimi është që një zgjidhje e tillë duhet të miratohet nga Këshilli i Sigurimit i KB-së.

Ish-ambasadori i Serbisë në Këshillin e Evropës, Zoran Milivojeviq, thotë për “Novosti” se fakti që vizita e Lavrovit vjen pak para zgjedhjeve parlamentare, më 21 qershor, flet për kursin e politikës së jashtme që po zhvillon Serbia, transmeton Klan Kosova.

“Kosova me siguri do të diskutohet në takimet me Lavrovin, pasi kjo është një çështje kryesore për ne në periudhën e ardhshme, dhe pas zgjedhjeve, i dërguari i BE-së për dialog me Prishtinën Mirosllav Lajçak do të vijë në Beograd. Unë pres që partneriteti strategjik rus-serb të konfirmohet dhe të ripërsëritet qëndrimi i Moskës se nuk ka zgjidhje për Kosovën pa Serbinë se ajo duhet të bazohet në Rezolutën 1244, dhe se Rusia do të mbështesë një zgjidhje që respekton interesat e Serbisë “.

Të ngjashme