LD: Koha për largim i kësaj keqqeverisjeje

Prishtinë | 03 Kor 2019 | 15:48 | Nga Ekonomia Online

Situata në të cilën ka rënë politikëbërja dhe qeverisja në nivelin qendror janë alarmante. Kështu po vlerëson Lëvizja për Drejtësi, e cila në një konference për media ka paraqitur “dështime” e koalicionit PAN.

Komunikata e plotë e kësaj partie:

Dështime të panumërta dhe paaftësia për tu përballur me sfidat duke hapur me ose pa qëllim problematikat e reja, duket se janë bërë tashmë mjaft të zakonshme.

Ajo çfarë dhemb më së shumti duket të jetë kusaria politike e mungesa e papërgjegjësisë morale se në politikë ka më shumë punë me kokë sesa kallxime të gjokseve e batutave pa shije. Për një pjesë mjaft te madhe të qytetarëve duket se zhgënjimi është thelluar.

Dëgjohet shpesh të thuhet se nuk ka hajër në këtë vend. Pyetja shtrohet; a kanë të drejtë të jenë pesimistë ish-optimistët e parë të Ballkanit? Lëvizja për Drejtësi konsideron se zhvillimet e javëve të fundit nisur nga turpi i Grupit Negociator të cilin e nxorri “jashtë loje” vendimi i Gjykatës Kushtetuese, dështimet e bisedimeve të hapura e të fshehura, amullia totale se ku ka mbetur e le të dihet se nga po shkohet në bisedimet me Beogradin, kriza e inskenuar humanitare në veri të Mitrovicës por pa ndonjë strategji efikase, këshilltari i presidentit që na del të jetë agjent për shtetin që më së paku mund ta quajmë kojshi, skenari absolutisht i paqartë për Luginën e Preshevës, Medvegjën e Bujanocin, heqja e sistemit të lëvizjes së lirë në Evropë tashmë është një ëndërr e thyer, shpenzime marramendëse për fanta e coca-cola të kryetarit të shtetit, afera EuroLab për zhvatje e monopolizim të homologimit të veturave. Për të vazhduar me dështimet financiare dhjetëra milonëshe të kompanisë publike Telekom e Vala ku për pak u harrua edhe Z-mobile.

Në anën tjetër as spastrimet e brendshme nga rradhët e PDK-së e as gjygjet ku të akuzuarit e rastit “pronto” dalin buzagaz nga seancat nuk janë ndonjë dëshmi se gjërat janë në rrugën e duhur.

Kalvari i bëmave dështuese që na kanë vendosur në një udhë pa krye është shumë i gjatë të nderuar qytetarë. Rritja e varfërisë, papunësisë, mungesa e prespektivës në vazhdim për të rinjtë, kriza institucionale që sa vjen e thellohet, kapja e drejtësisë, pandalshmëria e uzurpimit të pozitave publike nga militantët e tarafet politike po e forcojnë çdo ditë e më shumë nevojën për zgjedhje që mund të sjellin zgjidhje. 

Nga pas-lufta deri më sot, minimumi që do të duhej t’u sigurohej qytetarëve ishte mirëqenia, apo të ndihet përkrahja e institucioneve, në mënyrë që ai të mos ndihet i vetmuar. – Me thyerjen e amanetit të dëshmorëve, familjarët e tyre, vazhdojnë të ndihen të vetmuar! – Prindërit për fëmijët e tyre që përfundojnë shkollimin duke trashëguar dukuritë negative, vazhdojnë të ndihen të vetmuar! – Punëtorët në punë në mungesë së trajtimit dinjitoz, vazhdojnë të ndihen të vetmuar! – Prodhuesit si viktimë e mitos, vazhdojnë të ndihen të vetmuar! – Pensionistët në dimër e në verë duke pritur në radhë pensione, vazhdojnë të ndihen të vetmuar! – Të sëmurët në dyert e spitaleve, vazhdojnë të ndihen të vetmuar! – Studentët me diploma në dorë, në pritje të vizës, vazhdojnë të ndihen të vetmuar! – Të fundosurit në kredi, vazhdojnë të ndihen të vetmuar! – Fshatrat e lagjet me zbrazjen e tyre, vazhdojnë të ndihen të vetmuara! Mjaft më me PANdershmëri! Mjaft më me PANgopësi!

Zgjedhjet janë zgjidhje! Lëvizja për Drejtësi i bën thirrje kësaj qeverie që me akt moral të hap rrugë për alterantivë tjetër në mënyrë që të dilet nga ky ngërç i krijuar. Nuk është vonë ta bëjmë kthesën për ndryshim.

Të ngjashme