LDK del kundër PDK-së në Drenas

Drenas | 14 Dhj 2016 | 16:30 | Nga

Lidhja Demokratike e Kosovës përkundër që është në koalicion me PDK-në në nivel qendror, duket se nuk do ta mbështes kandidatin e saj për kryetar të Drenasit. Burime të Gazetës Blic brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë bërë të ditur se në Drenas do të mbështetet kandidati i Nismës për Kosovën, Isa Xhemajlaj.

“LDK në mënyrë të heshtur do ta mbështes kandidatin e Nismës, Isa Xhemajlaj. Pra, është kundër kandidatit të PDK-së, Ramiz Lladrovcit”, tha ky burim.

Në anën tjetër, njëri nga nënkryetarët e LDK-së, Agim Veliu nuk ka dashur që të flas se kënd do ta mbështes LDK në Drenas.

Ai shkurt i ka thënë Gazetës Blic se për këtë çështje vendos dega e partisë.

“Pyeti degën. Ata vendosin se kënd do ta mbështesin”, i ka thënë Veliu .

Në anën tjetër, udhëheqësi i degës së LDK-së në Drenas, i ka thënë Gazetës Blic se kjo parti nuk do ta mbështes asnjërin kandidat.

“Dega e LDK-së në Drenas ka kërkuar vota nga qytetarët e Drenasit për me ndryshu Drenasin përmes ofertës sonë qeverisëse. Dhe tani ne kemi një rezultat që kemi dhe nuk mendojmë që të e mbështesim asnjërin kandidatë. Dhe votuesit e LDK-së mund të votojnë pa asnjë imponim nga Dega jonë e as nga unë si Kryetar i Degës në Drenas.”, tha ai.
Ndërkohë, tashmë në Drenas ka filluar fushata elektorale për raundin e dytë të zgjedhjeve në Drenas.

Derisa PDK po garon e vetme, kandidati i Nismës, Isa Xhemajlaj ka arritur marrëveshje publike me AKR-në dhe me ish- kandidatin e pavarur për kryetar të Drenasit, Xhavit Drenorin.

Për herë të parë që nga paslufta, PDK nuk ka arritur që ta fitoj këtë komunë që konsiderohet si bastion i saj, pa balotazh.

Analistët politik, e kanë konsideruar këtë rezultat si disfatë të madhe të PDK-së.

 

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme