LDK dënon fushatën linçuese ndaj ShBA-së, u nxit nga këshilltarë të kryeministrit

Prishtinë | 11 Pri 2020 | 19:47 | Nga Ekonomia Online

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) e dënon ashpër fushatën e ulët linçuese, sikur e ka quajtur kjo parti, e cila po zhvillohet në rrjetet sociale apo përmes deklaratave politike, e orkestruar, qoftë drejtpërdrejt përmes aktivistëve politikë apo forma tjera indirekte, ndaj aleatit të Kosovës, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe personaliteteve të SHBA-së.

“Fushata denigruese ndaj aleatit kryesor të lirisë, pavarësisë dhe demokracisë së Kosovës për LDK-në është e papranueshme dhe e pafalshme”, thuhet në reagimin e LDK-së.

“Fryma e fushatës së tillë u instalua nga deklaratat publike të disa këshilltarëve të kryeministrit të Kosovës, e pasuar nga militantë të LVV-së”.

LDK fton qytetarët e Kosovës të refuzojnë këtë fushatë dhe të mos bëhen pjesë e një diskursi që nuk pasqyron edukatën tonë personale, familjare e qytetare dhe nuk i takon kulturës dhe traditës tonë, si shoqëri e si komb.

LDK fton Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryetarin e saj, Albin Kurtin, që është kryeministër në detyrë, ta dënoj këtë fushatë dhe të ndikojë në ndaljen e saj.

SHBA meriton respekt dhe falënderim të përhershëm të Kosovës dhe të çdo qytetari të saj.

Të ngjashme