LDK dhe AAK reagojnë pas arrestimeve të anëtarëve të PSD-së

Prishtinë | 16 Kor 2021 | 17:03 | Nga Ekonomia Online

Policia e Kosovës ka arrestuar sot tetë persona në aksionin që ka zhvilluar Partia Socialdemokrate në Prishtinë, kundër “tiketave ngjitëse”.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kuvendit të Kosovës, Arben Gashi ka thënë se sot po arrestohen shokët e deridjeshëm të Albin Kurtit.

“Keq shumë keq! Shokët e deridjeshëm të Albinit arrestohen në këtë formë me urdhër të Xhelal ministrit. Arrestohen për mendimet dhe aksionet e tyre politike”, ka thënë ai.

Ndërkaq, deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Albana Bytyçi ka thënë se dhuna e ushtruar sot ndaj grave dhe të moshuarit, nga Policia e Kosovës duhet dënuar nga institucionet.

“Qeveria aktuale ka qenë me vite kundërshtuese e fyese ndaj Policisë dhe shtetit në protesta të tilla. Sot ata shikuan nga dritaret, portalet apo nga vija bregdetare si ndonjë pjesë filmi. Grupi i grave deputete, presidentja dhe të gjitha shoqatat e grave duhet të reagojnë ndaj një gjesti të tillë ndaj një gruaje. Shtetit duhet të reagojë në situata të tilla dhe duhet dënuar një vepër e tillë, ushtruar ndaj protestuesve dhe të na dëshmoj që jemi të lirë dhe jo një shtet i uzurpuar”, është shprehur deputetja Bytyçi.

Ndryshe, Partia Socialdemokrate (PSD) ndërmori një aksion mesditën e sotme në hapësirat pranë ndërtesës së qeverisë, saktësisht te ish-objekti i “Rilindjes” për të kundërshtuar “tiketat ngjitëse”, ndërkaq tetë nga personat pjesëmarrës në këtë aksion janë arrestuar.

Kështu kanë bërë të ditur nga Policia e Kosovës për Telegrafin.

“Sot rreth orës 12:00 në rrugën “Ukshin Hoti” në Prishtinë, një grumbull personash kanë zhvilluar një aktivitet të paparalajmëruar. Si pasojë e veprimeve të tyre me shkruarjen e grafiteve, janë dëmtuar disa vetura”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit të Policisë së Kosovës, “Të njëjtit vazhdimisht kanë shfaqur shenja të agresivitetit, veprimeve të ulëta të kontaktit fizik me pjesëtarë të policisë, shpërfilljes së urdhrave të zyrtarëve policor si dhe pengim të tyre në kryerjen e detyrës zyrtare”.

Lidhur me arrestimet ka reaguar PSD, ku ka kërkuar lirimin e anëtarëve të saj.

Të ngjashme