LDK e lëshon mbledhjen e Kryesisë – Gashi: Po tentohet t’i shërohet egoja e sëmurë e kryeministrit

Prishtinë | 06 Tet 2022 | 14:32 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, e ka lëshuar mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit si shenjë pakënaqësie për mosekzekutimin e pagave për rreth 25 mijë mësimdhënës që kanë qenë në grevë.

Gashi tha se Qeveria po përmbysë rendin kushtetues, duke shtuar se mospagesa e mësimdhënësve është veprim arbitrar.

Gashi tha se mësuesit i kanë dhënë kohë Qeverisë për të gjetur një zgjidhje në lidhje me çështjen e 100 eurove, por sipas tij, qeveria po tenton që me sjellje autoritare, siç tha ai “t’ia shërojë egon e sëmurë kryeministrit”.

“Pra, Qeveria e Kosovës po tenton të bëjë përmbysje të rendit kushtetues duke pakësuar liritë dhe kompetencat e autoriteteve lokale sepse mësimdhënësit janë të kontraktuar nga niveli lokal”.

“Përderisa komunat e Kosovës kanë dërguar listat e pagave për mësimdhënës duke konfirmuar se ato duhet të paguhen, ministria e Arsimit dhe qeveria s’kanë të drejtë që në mënyrë arbitrare të pengojnë këto pagesa dhe të mos e realizojnë këtë detyrim që kanë si kontabilist të institucioneve lokale”.

“Nëse ata vlerësojnë se autoritetet lokale duke konfirmuar pagesat për mësuesit kanë bërë shkelje, atëherë ata munden në kuadër të mbikëqyrjes administrative të shohin gjithsecilin mësues individualisht i cili ka bërë shkelje. Nuk ka fajtor kolektiv”.

“Shkeljen e radhës që e bën ministria e Arsimit dhe Qeveria e Kosovës është kolektivizimi i të ashtuquajturit faj për pjesëmarrje në grevë. S’ka fajtor kolektiv në sistemin juridik e kushtetues të Kosovës”.

Gashi tha se nesër deputetët e LDK-së do të marrin pjesë në interpelancën e thirrur për ministrin e Financave, Hekuran Murati.

“Ne do të jemi aty, do të japim qëndrimet tona dhe pastaj do të shohim si do të reflektojë qeveria”, tha ai.

Edhe PDK e ka lëshuar mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit, teksa ka dorëzuar edhe kallëzim penal ndaj ministrit Hekuran Murati dhe sekretarit të kësaj ministrie.

LEXONI EDHE:

Të ngjashme