LDK e LV e kanë në tavolinë opsionin e presidentit konsensual

Prishtinë | 16 Dhj 2019 | 18:28 | Nga Ekonomia Online

Një president konsensual, i cili nuk do të jetë nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe as të Lidhjes Demokratike të Kosovës, si zgjidhje për arritjen e një marrëveshjeje për krijimin e një koalicioni qeverisës ndërmjet këtyre dy partive, nuk përjashtohet nga tavolina e bisedimeve.

Por, përderisa kjo mbetet vetëm si një alternativë për arritjen e marrëveshjes ndërmjet LVV-së dhe LDK-së, të dy partitë ende nuk kanë arritur një marrëveshje konkrete, raporton Radio Evropa e Lirë.

Krahas marrëveshjes për koalicion qeverisës, Lidhja Demokratike e Kosovës po insiston që të ketë edhe një marrëveshje për presidentin e ardhshëm i cili do të zgjidhej pasi që t’i skadojë mandati presidentit aktual, Hashim Thaçi, në vitin 2021.

Në këtë pikë edhe janë bllokuar negociatat midis LVV-së dhe LDK-së për koalicionin qeverisës.

Lutfi Haziri, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se me Lëvizjen Vetëvendosje janë duke vazhduar bisedimet për të gjitha modalitetet dhe se ndërmjet dy partive nuk ka marrëdhënie kushtëzimi

Haziri thotë se të gjitha çështjet janë të hapura në tavolinën e bisedimeve, përfshirë edhe çështja e një presidenti konsensusal.

“Është në tavolinë ajo. Krejt janë duke u biseduar çështjet e hapura. Nuk mund të them se përjashtohet një bisedim ose u pranua. Është çështje që ka mbetur si modalitet në tavolinë”, u shpreh Haziri.

Ndonëse të dy partitë kanë deklaruar se kanë arritur të harmonizojnë programin qeverisës, ndarja e disa dikastereve ende është duke u negociuar, ndërkohë që çështja më problematike mbetet pozita e presidentit të Kosovës.

Radio Evropa e Lirë është përpjekur të kontaktojë me zyrtarët e Lëvizjes Vetëvendosje, por ata nuk kanë qenë të qasshëm. Por, më herët, anëtarja e kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, ka deklaruar para medieve që insistimi i Lidhjes Demokratike të Kosovës që të ketë postin e presidentit, është i padrejtë.

“Kërkesa për të pasur kryetarin e Kuvendit, presidentin – dhe në veçanti presidentin – për Vetëvendosjen është e padrejtë”, ka thënë Haxhiu

Haxhiu u ka thënë më herët medieve vendore që të dy partitë duhet të jenë fleksibile dhe se ekziston mundësia që president të bëhet dikush që nuk është pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje apo Lidhjes Demokratike të Kosovës, por një person unifikues.

Të ngjashme