LDK e quan frazë boshe platformën e Veselit për unitet politik

Prishtinë | 23 Pri 2018 | 15:55 | Nga

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ka propozuar sot një platformë politike për bashkimin e spektrit politik në Kosovë rreth pesë temave me interes nacional.

Në këtë platformë, Veseli kërkon nga të gjitha partitë politke krijimin e një ekipi të përbashkët të liderëve politik me pjesëmarrje edhe të shoqërisë civile për shumë tema, shkruan lajmi.net.

E ndërsa kjo platformë u mirëprit nga Kryeministri Haradinaj, partitë opozitare nuk po duket se do ta mbështesin propozimin e Veselit.

Deputeti nga rradhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri, konsideron se një platformë e tillë është më shumë një retorikë dhe frazë boshe , si dhe një arsye e dikujt për të qëndruar sa më shumë në pushtet.

“Konsideroj që ato janë më shumë retorika dhe fraza boshe. Asgjë e re nuk është thënë. Nëse dikush mendon të fshehet pas temave të mëdha sa për të qëndruar në pushtet kjo për ne nuk është e pranueshme”, deklaroi Beqiri për lajmi.net.

Beqiri shtoi se një qeveri e tillë, ashtu siç qëndrojnë punët nuk mund të marrë vendime për tema të mëdha.

Ai deklaroi se LDK-ja do ta japë përgjigjen e saj në tryezën e përbashkët të partive politike të organizuar nga kjo parti për të mërkurën, ku shtoi se qëllimi kryesor i LDK-së është caktimi i datës së re të zgjedhjeve.

“Në situatën që jemi, me një qeveri të pakicës, që më shumë ka zëvendësministra dhe ministra se sa deputetë në Kuvendin e Kosovës, ata nuk mund të marrin vendime për tema të mëdha. Ne si LDK, kemi kërkuar që të ulemi dhe të flasim për tema të mëdha dhe të caktojmë datën për zgjedhje të reja parlamentare, nëse ata e pranojnë këtë, atëherë të vijnë në tryezën-konferencën e partive politike të thirrur nga LDK, me 25 prill. Aty e keni përgjigjen e LDK-së”, ka shtuar Beqiri.

Ndryshe, gjatë ditës së mërkurë, Lidhja Demokratike e Kosovës, ka organizuar një tryezë të përbashkët të partive politike ku do të flitet për temat e mëdha në vend dhe siç thonë ata për caktimin e datës së zgjedhjeve të reja.

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme